Pamjaftueshmëria e fondeve shihet të jetë arsyeja kryesore që i mban shqiptarët larg bankave sipas një vrojtimi të “Global Findex” në lidhje me faktorët kryesorë që pengojnë përhapjen e shërbimeve bankare dhe financiare në Shqipëri.
Sipas vrojtimit, vetëm 39% e shqiptarëve mbi 15 vjeç kanë llogari bankare, që është më e ulëta jo vetëm në Europë, por edhe në rajon. Pas nesh, renditet Bosnja, me rreth 60% dhe Serbia e Maqedonia me rreth 70%.
Vrojtimi tregoi se në Shqipëri mungesa e fondeve si arsye për të përdorur bankat është dy herë më e lartë se në rajon. Vetëm 22 për qind e boshnjakëve që nuk kanë llogari bankare mendojnë se shkak është mungesa e fondeve, kundrejt 14% në Serbi, 13 % në Maqedoni dhe 4% në Kroaci.
Një arsye tjetër pse i mban shqiptarët larg bankave është kostoja e lartë e shërbimeve bankare. 27 për qind e shqiptarëve që nuk e kanë një llogari mendojnë se shërbimet bankare janë shumë të shtrenjta.
Në vendet e tjera të rajonit kjo arsye nuk është aspak shqetësuese për aksesin në llogaritë bankare, pasi mesatarisht vetëm 3 për qind e qytetarëve në rajon nuk hapin llogari për shkak të kostos.
Gjithashtu një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve që nuk kanë llogari bankare, rreth 17% prej tyre, pasi mendojnë se i kanë bankat shumë larg vendbanimit të tyre, ndryshe nga vendet e rajonit si Bosnja, Serbia ku vetëm 2 -3 për qind tyre e konsiderojnë largësinë nga bankat si pengesë.
Gjithashtu 11 për qind e shqiptarëve që nuk kanë llogari kanë pohuar se nuk u afrohen bankave pasi nuk kanë besim. Kjo përqindje në vendet e Rajonit është më e ulët.
Të dhënat e Global Findex zbulojnë se pjesa e të rriturve me një llogari bankare në Shqipëri ishte 39 për qind në 2017 (krahasuar me 67 për qind të mesatares botërore).
Raportet vendase tregojnë se 99.2 për qind e bizneseve pranojnë pagesa cash.
Shërbimet elektronike të pagesave po gjejnë përhapje tek pagesat e ujit dhe dritave, ndërsa pagesat ndërmjet individëve bëhen në cash./Monitor/