Në fund të këtij shekulli, Shqipëria ka të ngjarë të tkurret aq shumë sa parashikohet të ketë po aq banorë sa një lagje normale e Parisit, Londrës apo Madridit. Të dhënat e fundit nga Zyra Europiane e Statistikave tregojnë se gjatë vitit 2018 plot 62 mijë shqiptarë janë larguar nga Shqipëria për të jetuar në vendet e Bashkimit Europian. Por sikur të mos mjaftonte kjo, një raporti tronditës i “Pew Research Center” parashikon se vendi ynë do të ketë tkurrjen më të madhe të popullsisë në botë deri në fund të shekullit.
Sipas studimit të realizuar nga OKB-ja, në fund të këtij shekulli, në rastin më të mirë popullsia e Shqipërisë do të rrudhet në vetëm 1 milion banorë, me një rënie prej 62 për qind krahasuar me shifrën aktuale. Kjo sipas të dhënave është rënia më e madhe në botë, e cila e projekton Shqipërinë të jetë sa një lagje e Parit apo Londrës.
Megjithatë ky është skenari më pozitiv, pasi paralelisht OKB-ja ka llogaritur projeksionet edhe sipas një skenari më negativ, i cili bazohet në një rënie më të shpejtë të lindshmërisë.
Ky variant parashikon rrudhjen e popullsisë së Shqipërisë pas 70 vjetësh në vetëm 500 mijë banorë, pra më pak banorë nga sa ka aktualisht Tirana.
62 mijë shqiptarë të larguar për 2018-ën
Shifrat e publikuara së fundmi nga Zyra Europiane e Statistikave janë duke ngritur jo pak shqetësime në mesin e ekspertëve. Shumica e shqiptarëve që janë larguar nga atdheu janë transferuar në Itali, ku kanë lëvizur 23.000 persona, Greqi ku kanë lëvizur 17.000 dhe Gjermani, ku kanë shkuar 10,000 shqiptarë. Shqiptarët duket se kanë lënë po ashtu atdheun për të jetuar në vende si Franca, Holanda, Belgjika Slloveni dhe Kroaci.
Ikja e qytetarëve, sidomos e të rinjve të arsimuar duket të jetë në fakt një plagë sociale për mbarë rajonin, sepse të dhënat e zyrës së BE-së tregojnë se vitin e kaluar, 228.000 qytetarë të Ballkanit Perëndimor u transferuan në vendet e Bashkimit Evropian. Por vendi ynë duket se kryeson për numrin e qytetarëve të larguar, e ndjekur nga Bosnja dhe Serbia.
Në 2018, 51.000 njerëz u larguan nga Serbia, 62.000 nga Shqipëria, 55.300 nga Bosnja dhe Hercegovina, 34.500 nga Kosova, 24.300 nga Maqedonia e Veriut dhe 3000 nga Mali i Zi. Nga Maqedonia Veriore, grupi më i madh tani është vendosur në Gjermani (11.500), i ndjekur nga Italia dhe Sllovenia.
Për një vend me një popullsi prej rreth 2.8 milionësh, largimi i 62.000 njerëzve është i barabartë me rreth 2.2% të popullsisë së përgjithshme. Shqipëria ka një nivel shumë të ulët të lindshmërisë prej vetëm 1.49 fëmijë për grua dhe emigrimi masiv ka ndikuar në demografinë e vendit pas rënies së komunizmit në vitin 1990. Që nga viti 2011, popullsia është reduktuar neto me 141 mijë persona, vetëm si rrjedhojë e emigracionit.
Zbrazja e rajonit
Por situata nuk duket optimiste as edhe për fqinjët tanë. Sipas OKB-së, shteti i dytë që do të pësojë uljen më të madhe të popullsisë është Serbia me 52 për qind, ndërsa në vendin e tretë dhe të katërt Moldavia dhe Bosnja, ku popullsia pritet të tkurret me 50 për qind deri në fund të këtij shekulli. Shteti që mbyll pesëshen e vendeve me krizën më të thellë demografike, është Bullgaria, për të cilën OKB-ja parashikon se do të humbasë 48 për qind të popullsisë deri në vitin 2100.
Ndonëse të rinjtë shqiptarë, maqedonas apo serbë duket se po emigrojnë drejt vendeve të tjera për shkak të papunësisë, pagave të ulëta ose korrupsionit, Andan Çerimagiç, analist i njohur i politikave dhe problemeve të Ballkanit Perëndimor thekson se ka një sërë arsyesh të tjera.
“Ajo që është e rëndësishme të theksohet kur flasim për emigracionin në Ballkanin Perëndimor është fakti se ai është i ligjshëm. Në vitet 1990, nga Ballkan kishte refugjatë dhe azilkërkues, por sot njerëzit po largohen për të studiuar, për të punuar apo për t’u bashkuar me familjet e tyre”, thotë Çerimagiç.
Alida Vraçiq një tjetër eksperte e njohur e rajonit, ngre të njëjtin shqetësim. “Njerëzit po largohen për shkak të faktorëve ekonomikë ose pamundësisë për të gjetur një punë. Largimi i trurit nxitet nga pakënaqësia dhe zhgënjimi dhe ndjesia se ndryshimet politike po ndodhin ngadalë ose nuk po ndodhin fare,” thotë ajo.
Vraçiq mendon se një pjesë e njerëzve që zgjedhin të largohen janë të kënaqur profesionalisht, por nuk mund ta durojnë shtypjen e lirisë dhe të drejtave të tyre. “Ata thjesht nuk duan të jetojnë në një mjedis që i mbyt, prandaj nuk është çudi që lënë vendet e tyre për shtete ku nuk do të mund të punojnë në profesionin e tyre, por të paktën do të jenë të lirë”, shton ajo.
Më 19 dhjetor 2018, qeveria e Gjermanisë ka miratuar një ligj të ri emigracioni, me qëllim tërheqjen e fuqisë punëtore duke e bërë edhe më të lehtë për punëdhënësit gjermanë të rekrutojnë profesionistë jashtë Bashkimit Europian. Ligji ka alarmuar shumë prej udhëheqësve në Ballkan, për shkak të frikës se të tjerë profesionistë mund të marrin valixhet dhe të largohen nga rajoni. Për shembull, Zoran Gjorgjeviq, ministri i Punës i Serbisë, njoftoi se dikasteri i tij do të formojë një ekip, i cili do të ndihmojë qeverinë serbe në ketë fazë të largimit të trurit.
Megjithatë, ekspertët besojnë se deri më tani masat që po zbatohen në rajon për të luftuar këtë problem kanë qenë vetëm fjalë dhe premtime boshe.
Çerimagiç thotë se shumica e politikanëve në rajon nuk e pranojnë se të rinjtë duan të largohen nga vendi. “Problemi është se debati nuk po mbahet në një nivel parimesh, por propagande politike. Në mënyrë që kjo të ndryshojë, udhëheqësit rajonal duhet ta përqendrojmë në radhë të parë debatin mbi cilësinë e arsimit “, shton Ćerimagić. Ishte pikërisht ky i fundit ai që shkaktoi një maratonë protestash në vendin tonë, duke bërë që me mijëra studentë të dilnin në rrugë duke kërkuar përmirësimin e cilësisë së arsimit
Çerimagiç mendon se edukimi cilësor është hapi i parë për ndërtimin e një shoqërie të shëndetshme, ndërsa Alida Vraçiq thotë se debati publik mbi cilësinë e arsimit as që ekziston fare, dhe masat e propozuara zakonisht janë të pakuptimta dhe nuk mund të zbatohen. Sipas saj, pakënaqësia e të rinjve të arsimuar fillon që në bankat e shkollës dhe vazhdon me perspektivat e pakta të punësimit.
Të dy ekspertët bien dakord se duhet të dihet se kush po vjen dhe kush po largohet nga vendi, në çfarë periudhe dhe a ka mundësi që ata të rikthehen