Tashmë gjithçka është vendosur. Edy Reja do të jetë trajneri i Kombëtares shqiptare, të paktën deri në muajin nëntor kur të mbyllen eliminatoret e Kampionatit Europian.
Por deri sa Federata Shqiptare e Futbollit arriti marrëveshjen me 73-vjeçarin italian, shumë emra u lakuan për të marrë drejtimin e Kombëtares shqiptare.
Një prej tyre ishte edhe italiani Francesco Guidolin për të cilin u fol se ka pasur kontaktet me Presidenti i FSHF, Armand Duka.
Tashmë që gjithçka është vendosur, Guidolin ka zbuluar kontaktet. Në një intervistë për mediat italiane, trajneri është shprehur se është kontaktuar nga Duka.
Ai thotë se shqiptarët u treguan zotërinj edhe pse mes palëve nuk u gjet një marrëveshje.
“Ata zgjodhën Reja-n dhe jam i lumtur, sepse e meriton dhe do të bëjë mirë. Po, e vërtetë që më kërkuan edhe mua dhe u treguan shumë zotërinj dhe të sjellshëm. Sidomos presidenti Duka, por preferova të prisja për të parë se si do të zhvillohej situata në këtë fazë të sezonit”.