Rudina Hajdari thyen heshtjen, por lidhur me një subjekt te ri politik, nuk flet ne vetë të parë.
“Krijimin e çdo forumi të ri politik, e shikoj si një hapësirë më shumë, për demokratizimin e politikës dekadente që ka përfshirë vendin dhe gjithsecilit i uroj rrugëtim të mbarë dhe suksese në përpjekjet e tij”, shkruan ajo në një postim në Facebook, dy ditë pas përpjekjeve për të mbledhur firma e për të krijuar një subjekt politik qe do të quhej “Bindja Demokratike”, do te regjistrohej në gjykatë, madje dhe në KQZ.
Por Rudina Hajdari mohon të ketë ndërmarrë nismë lidhur me këtë.
“Më cilësojnë si kryesuese të një forumi të ri që po krijohet, por nga kontaktet që zhvilloj anë e mbanë vendit. Pak ditë më parë, në deklarimin që bëra në Parlament, shpreha vullnetin e grupit që kryesoj dhe ky do të mbetet angazhimi im kryesor. Natyrisht, në rrugëtimin që kemi nisur, prania e demokratëve të ndershëm dhe gjithë atyre që aspirojnë një demokraci të vërtetë, do të jenë mbështetja e jonë”, shton ajo.
“Shqiptarëve u duhet “një elitë e re politike” dhe ne e konsiderojmë një obligim parësor, përgatitjen e një formule të përshtatshme përfaqësimi politik, në mënyrë që deputetët dhe të zgjedhurit t’i caktojnë qytetarët dhe jo kryetarët e partive”.