Policia italiane ka arrestuar një emigrant shqiptar, me banim në provincën e Foxhias.
Bëhet fjalë për 31-vjeçarin me iniciale M.A, i cili edhe pse pa precedent penal akuzohet për trafik heroine.
Sasia e heroinës së sekuestruar është 22 kilogramë e mbi 90 kilogramë lëndë përzierëse për përgatitjen e dozave të drogës.
Lënda narkotike do të sillte në treg një përfitim mbi 6 milionë e gjysmë euro.
Ndalimi i shqiptarit është bërë gjatë një kontrolli të policisë rrugore ndërsa po udhëtonte me automjetin e tij “Jaguar” në territorin e komunës së Massafra.
Gjatë inspektimit të automjetit me ndihmën e qenve antidrogë janë gjetur fshehur në airbag rreth 4 kg e 200 gramë heroinë ndërsa gjatë kontrollit në garazhin e banesës së shqiptarit janë gjetur 18 kg të tjera heroinë si dhe rreth 90 kilogramë lëndë përzierëse e instrumente për përgatitjen e dozave të drogës.
31-vjeçari shqiptar M.A është vënë në pranga e ndodhet në burgun e Tarantos në dispozicion të autoriteteve gjyqësore, Gjatë marrjes në pyetje ai ka preferuar të mos i përgjigjet prokurorëve italianë.
Policia italiane po heton mbi jetën e emigrantit shqiptar në Foxhia e lidhjet e tij me trafikantët e drogës. në territor.
Nën sekuestrim është vënë dhe automjeti luksoz i tij i tipit Jaguar.