Nga Aurenc Bebja*, Francë
“Paris-presse” ka botuar, të mërkurën e 24 qershorit 1970, në faqen n°11, një shkrim në lidhje me veprimin dhe kërkesën e veçantë të një shqiptari që jetonte në Amerikë dhe që urrente presidentin amerikan Richard Nixon, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Ekuipazhi i rrëmbyer nga një pirat i ajrit shqiptar që donte të hakmerrej ndaj Richard Nixon-it
Romë, e martë (A F.P., A.P., U.P.I.). – “Asnjë nga pasagjerët nuk e vuri re që avioni ishte rrëmbyer, gjithçka kaloi pa incidente”, tha në ndalesën e Romës Zonjusha Veronika Ballman, nga Mynihu, një nga stjuardesat e Boeingut – 707 të Panam Bejrut – Nju Jork, i cili, dje, u mor peng në drejtim të Kajros nga një pirat i ajrit.
Bëhet fjalë për Hadji Hassan Xyaert (Haxhi Hasan Xhaferrin), 38 vjeç, shqiptar që jeton në Shtetet e Bashkuara, ku ushtron profesionin e tregtarit të materialeve të ndërtimit, i cili shpjegoi gjestin e tij për urrejtjen që kishte ndaj Amerikës.
Ndërsa avioni me 134 pasagjerë dhe prej dhjetë anëtarësh të ekuipazhit fluturonte mbi Nikozi (Qipro), Xyaert (Xhaferri), i cili mbante një revolver të fshehur pas një çante udhëtimi, e detyroi Zonjushën Ballman të hapte kabinën e pilotazhit. Aty, ai urdhëroi kapitenin John Burn të fluturonte për në Kajro dhe shtoi: “Thuajini Nixonit që të largohet nga Vietnami dhe Kamboxhia dhe të mos i shesë Izraelit avionët Phantom.”
Pas uljes në Kajro, ndërsa policia egjiptiane i afrohej avionit, pirati qëlloi një herë në njërën prej dritareve të kabinës, dhe më pas u dorëzua pa rezistencë.
Hadji Hassan Xyaert (Haxhi Hasan Xhaferri) nuk ka kërkuar azil politik në Kajro. Midis pasagjerëve të Boeing-ut ishin njëmbëdhjetë punonjës të Departamentit të Punëve të Jashtme të Shteteve të Bashkuara, duke përfshirë një ministër këshilltar, znj. Thatcher. Ky i fundit nuk hasi asnjë vështirësi për të kërkuar fluturimin e avionit, i cili vazhdoi rrugën për në Romë, Paris dhe Nju Jork.
*Burimi: Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania