E hëna dhe e marta do të jetë një ditë e ngjeshur për Kolegjin Zgjedhor, pasi do të shqyrtojnë kërkesat e Bindjes Demokratike dhe Partisë Socialiste për zgjedhjet lokale të 30 Qershorit. Të hënën do të shqyrtohen 5 ankime të partisë Bindja Demokratike, që kundërshton rezultatin në bashkitë Selenicë, Shijak, Kurbin, Tiranë dhe Berat.
KQZ i rrëzoi kërkesat e kësaj partie, pasi sipas saj pretendimet nuk ishin të bazuara, ndërsa tashmë radhën për të folur e ka shkalla e dytë, Kolegji Zgjedhor. Në argumentin e saj ‘Bindja’ pretendon se kutitë janë mbushur me vota fiktive dhe se iu vodhën. Po të hënën do të shqyrtohet edhe kërkesa e Leonidha Hristos, që humbi në Finiq garën për të fituar bashkinë.
Më pas Kolegji Zgjedhor do të marrë në shqyrtim 20 kërkesat e PS-së për shpërndarjen e mandateve për këshilltarët bashkiakë, pasi KQZ e kishte të pamundur ligjërisht për t’i certifikuar duke qenë se duheshin 5 vota.
Të gjitha vendimet e KQZ për zgjedhjet e 30 Qershorit janë marrë me 4 vota, pasi kryetari Klement Zguri ka votuar gjithmonë kundër duke njohur dekretin e Presidentit Meta që anuloi 30 Qershorin. Duke qenë se me 4 vota nuk shpërndaheshin dot mandatet e këshilltarëve bashkiakë, PS-ja i është drejtuar Kolegjit për të certifikuar këshillat.
Të hënën do të shqyrtohen kërkesat për 7 bashki (Devoll, Kuçovë, Konispol, Memaliaj, Ura Vajgurore, Përmet dhe Poliçan) dhe të martën për 13 të tjera (Mirditë, Finiq, Pukë, Pustec, Pogradec, Vau i Dejës, Mat, Fushë Arrëz, Delvinë, Roskovec, Kavajë, Dropull dhe Peqin), ndërsa procesi pritet që të vijojë edhe për bashkitë e tjera në ditët në vijim.
Certifikimi i hap rrugë mbledhjes së parë të këshillave dhe betimit të kryetarit të ri të bashkisë për cdo njësi vendore.