Gazetat New York Times dhe Washington Post thonë se administrata e Presidentit Trump ka përqafuar strategjinë e imunitetit të popullatës në masë, si mjet për të ndalur pandeminë e Covid-19.
Imuniteti në masë ndodh kur një popullatë është e mbrojtur nga një virus sepse është arritur një shkallë e gjerë imuniteti në shoqëri.
Gazetat thonë se zyrtarë të lartë të administratës, që nuk pranuan të identifikohen, u thanë gazetarëve të hënën se ata janë duke studiuar një strategji për të lejuar përhapjen e koronavirusit midis të rinjve të shëndetshëm, ndërsa mbrojnë të moshuarit dhe grupet e tjera të rrezikuara, në mënyrë që të mbajnë ekonominë e vendit në gjendje të mirë.
Zyrtarët cituan një peticion të titulluar “Deklarata e Madhe e Barringtonit” e postuar në internet më 4 tetor, që argumenton kundër masave kufizuese dhe injoron udhëzimet aktuale shkencore për frenimin e përhapjes së Covid-19, duke përfshirë përdorimin e maskave dhe distancimin fizik.
Peticioni thotë se strategjia, e quajtur “Mbrojtja e Përqendruar”, është “mënyra më e dhembshur që balancon rreziqet dhe përfitimet e arritjes së imunitetit të popullatës”. Autorët kryesorë të deklaratës përfshijnë Dr. Scott Atlas, një neurolog i cili është shfaqur si një nga këshilltarët kryesorë të Presidentit Trump për pandeminë.
Mbështetja e imunitetit në masë nga administrata e Presidentit Trump bie ndesh me një qëndrim të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e cila e quan strategjinë jo-etike.
Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, u tha gazetarëve të hënën në Gjenevë se zyrtarët shëndetësorë duhet të përpiqen të arrijnë imunitet vetëm përmes vaksinimit, jo përmes ekspozimit të njerëzve ndaj virusit.