Kryesore Një tjetër kompani ndërpret provat klinike për ilaçin kundër COVID-19

Një tjetër kompani ndërpret provat klinike për ilaçin kundër COVID-19

Kompania me bazë në Shtetet e Bashkuara, “Eli Lilly” njoftoi të martën se prova klinike e ilaçit të saj antiviral kundër koronavirusit ishte ndërprerë nga ekspertë të pavarur “si një masë shtesë kujdesi”, por nuk dha hollësi të tjera.

Ilaçi, të cilën “Eli Lilly” po prodhon me firmën bioteknike me bazë në Kanada “AbCellera”, është pjesë e një klase trajtimesh të njohura si antitrupa monoklonalë, që veprojnë si qeliza imune që shkencëtarët shpresojnë se mund të luftojnë virusin. Terapia me antitrupa është e ngjashme me atë që iu dha Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump pasi ai doli pozitiv me COVID-19 në fillim të këtij muaji.

Studimi, i cili nisi në gusht, kishte për qëllim të regjistronte 10 mijë pacientë vullnetarë me koronavirus të shtruar në spitalet në Shtetet e Bashkuara.

“Eli Lilly” kishte paraqitur kërkesë në Administratën Amerikane të Ushqimit dhe Ilaçeve që ilaçi i saj të autorizohej me urgjencë për t’u përdorur për raste të lehta dhe të moderuara të infeksioneve me COVID-19, bazuar në rezultatet paraprake të një prove tjetër klinike të kryer më parë.

Një ditë para ndërprerjes së provave nga “Eli Lilly”, një kompani tjetër farmaceutike amerikane, “Johnson & Johnson” ndërpreu provat klinike të fazës së tretë të vaksinës së saj eksperimentale, pasi një pjesëmarrës u diagnostikua me një sëmundje të pashpjegueshme.

“Johnson & Johnson” sapo kishte nisur një provë në shkallë të gjerë të vaksinës së saj me një dozë të vetme që përfshinte 60,000 vullnetarë në më shumë se 200 zona në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera të botës, duke përfshirë Argjentinën, Brazilin, Kilin, Meksikën dhe Afrikën e Jugut.

Prova klinike e vaksinës nga “Johnson & Johnson” është e dyta që ndërpritet për shkak të sëmundjes së një prej vullnetarëve.

Një kompani tjetër në Shtetet e Bashkuara, që po prodhon vaksinë kundër kovidit, “AstraZeneca”, që bashkëpunon me Universitetin e Oksfordit, ndërpreu në fillim të muajit të kaluar provat që ishin në fazën e tretë, pasi një vullnetar në Britani u diagnostikua me mielit tërthor, një sindromë inflamatore që prek palcën kurrizore dhe shpesh shkaktohet nga infeksione virale.

Provat kanë rifilluar në Britani, Brazil, Indi dhe Afrikën e Jugut, por ende jo në Shtetet e Bashkuara.

Banka Botërore tha të martën se ka miratuar një paketë prej 12 miliardë dollarësh për vendet në zhvillim për të blerë dhe shpërndarë vaksinat, testet dhe trajtimet për Covid-19.