Shtëpia më e ngushtë në Londër është në shitje për më shumë se një milion euro.
Ndërtesa 5-katëshe me gjerësi 1.8 metra dhe me sipërfaqe 1034 metra katrorë, ka qenë dikur një dyqan kapelash.
Sipas agjencisë së pasurive të patundshme Winkworth, kjo shtëpi në perëndim të Londrës ka strukturën e një jahti luksoz që shfrytëzon në maksimum hapësirat e vogla.
“Është e çuditshme, e këndshme dhe e shkëlqyer për t’u argëtuar. Filloi si një dyqan kapelash dhe më vonë u ndryshua nga një fotograf mode”, shprehet David Myers, agjenti i Winkworth.
Për David Myers, ky çmim shpjegohet me faktin se shtëpia, e ndërtuar në fund të shekullit të XIX ose në fillim të shekullit të XX, përbën një pjesë unike të historisë së Londrës.
“Ajo është paksa magjia e Londrës”, tha ai.
Sipas agjencisë, bodrumi ka një kuzhinë, një dhomë ngrënieje dhe dyer prej qelqi, ndërsa kati i parë ka vetëm një dhomë pritjeje.
Shkallët spirale të ngjisin në katin e dytë, ku gjendet një dhomë studimi dhe një dhomë gjumi. Në katin e tretë ndodhet tualeti, një dhomë zhveshjeje dhe dushi. Në majë të shtëpisë gjendet dhoma kryesore e gjumit.
Një ndërtesë e tillë mund të jetë e çuditshme në Londër, por shtëpitë jashtëzakonisht të ngushta kanë qenë prej kohësh një zgjidhje praktike në vendet ku toka taksohet nga gjerësia, të tilla si Vietnami, Holanda apo Japonia.