Policia Kufitare ka njoftuar se shtetasit e vetëm që do të lejohen të kalojnë kufirin për në Greqi janë shtetasit grekë dhe ata që kanë leje qëndrimi të përhershme në Greqi. Përmes një njoftimi për shtyp, policia tha se ndërkohë janë bllokuar pikat kufitare me Maqedoninë e Veriut, Bllatën dhe Tushemishtin.
“Policia Kufitare njofton të gjithë qytetarët se në pikat e kalimit kufitar me Greqinë, konkretisht në Kakavijë dhe Qafë Botë, për arsye të parandalimit të COVID-19, duke filluar prej orës 13:00, nuk do të lejohet të hyjë për në Greqi asnjë shtetas, përveç shtetasve grek dhe atyre që kanë leje qëndrimi të përhershme në Greqi. Ndërsa pika kufitare e Kapshticës do vijojë e hapur deri në një urdhër të dytë. Në pikat e kalimit me Greqinë do lejohen vetëm kamionët. Gjithashtu, Policia Kufitare bën me dije se edhe pikat e kalimit me Maqedoninë e Veriut, Bllata dhe Tushemishti, si dhe aeroporti i Ohrit janë mbyllur deri në një njoftim të dytë, ku nuk lejohet qarkullimi i mjeteve të vogla, autobusëve dhe udhëtarëve, ndërsa Qafë Thana vijon lëvizja normalisht.”