Hyrja e Air Albania, që e ka çuar në katër numrin e operatorëve që ofrojnë fluturime drejt Italisë, ka ndikuar në uljen e çmimeve të biletave të avionëve drejt destinacionit më të frekuentuar nga shqiptarët. Një biletë vajtje-ardhje mund të gjesh nëse e prenoton një muaj përpara edhe më pak se 100 euro.
Sipas një kërkimi në faqet përkatëse të internetit, drejt tre destinacioneve që ka më shumë fluturime, Roma, Milano e Bolonja, nëse prenoton sot për një biletë vajtje-ardhje rreth datave 4 dhe 7 nëntor, mund të besh bileta dhe me 90 euro.
Destinalcioni më i lirë është Bolonja, që me Air Albania kushton 88.6 euro (vajtje-ardhje). Me Fly Ernest, Bolonja është 107 Euro dhe me Blue Panorama, gati 122 euro.
Drejt Romës, më e lira është Fly Ernest, me gati 92 euro. Me Air Albania, kryeqyteti është i arritshëm për 99 euro. Më të shtrenjta janë AlItalia dhe Blue Panorama/Alba Wings me rreth 130 euro.
Për më Milano, biletat luhaten mes 107 dhe 100 euro, vajtje-ardhje për të njëjtat data.
Air Albania filloi nga 30 shtatori fluturimet direkte drejt tre destinacioneve, Romë, Milano, Bolonja. Teksa ka çmime të krahasueshme, Air Albania ka të përfshira në çmim dhe ushqimin dhe bagazhin (30 kg).
Italia, destinacioni kryesor i fluturimeve
Italia është destinacioni kryesor i fluturimeve nga Shqipëria. Në total, gjatë vitit 2018, sipas të dhënave nga Tirana International Airport (TIA), pasagjerët nga dhe drejt Italisë ishin gati 1.56 milionë, ose 59% e totalit.
Destinacioni kryesor ku udhëtohet nga dhe drejt Rinasit vijon të jetë Roma, me 329 mijë pasagjerë në 2018-n, me rritje prej 1.8% me bazë vjetore. Roma shërben jo vetëm si destinacion direkt, por edhe si tranzit për të udhëtuar në Europë dhe jashtë saj.
Destinacioni i dytë është Milano, me 283 mijë pasagjerë, me rritje 6% në raport me një vit më parë. I treti është Bergamo (që është afër Milanos), me 143 mijë pasagjerë (rritje 15%).
Më pas renditen vero (142 mijë), Bolonja (140 mijë), Piza (138 mijë), Venecia (94 mijë).
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Aviacionit Civil (ACA), në muajin qershor, Alba Wing dhe Blue panorama zotëronin së bashku 22% të tregut të fluturimeve, Ernest Airlines 16%, AlItalia kishte 7% të tregut. Të gjithë operatorët drejt Italisë zunë 45% të totalit. Pesha e Italisë ka ardhur në rënie, për shkak të zgjerimit të hartës së destinacioneve drejt shteteve të tjera, e nxitur dhe nga fluturimet charter nga shtete të tilla si Polonia, apo Norvegjia, që po sjellin turistë në Shqipëri./Monitor