Shoqëria shqiptare, historikisht ka vuajtur fenomenin e vazhdueshëm të dhunës në familje. Më të prekurat nga kjo lloj dhunë janë gratë edhe vajzat. 1 në tre gra vazhdon të dhunohet. Megjithatë të dhënat publike, të Institutit të Statistikave tregojnë që numrin i rasteve të denoncuara në polici është rritur.
Për vitin 2018, policia ka evidentuar 4411 raste të dhunës në familje, e thënë ndryshe, janë regjistruar çdo ditë mesatarisht 12 raste të kësaj forme dhune.
Sipas përllogaritjes së të dhënave, në katër vitet e fundit, rastet e denoncimit të dhunës në familje janë rritur me 28%, pra 963 raste më shumë të evidentuara nga policia, po të krahasojmë 2015 më vitin e shkuar.
Por, ky numër në rritje i rasteve të regjistruara nga policia, ka sjellë edhe një numër më të lartë të autorëve të dhunës në familje. Nga viti 2015, në 2018-ën, janë regjistruar 29% më shumë autorë përgjegjës.
Iris Luarasi, Drejtoresha e Linjës së Këshillimit për Gra dhe Vajza, thotë se në rastet e dhunës në familje problematike mbetet moszbatimi I ligjit.
“Gratë jo gjithnjë i kanë dyert e hapura. Duke filluar që me policinë, spitalin dhe gjykatat”, shprehet Iris Luarasi.
Luarasi, po ashtu thotë se dhuna në familje lidhet kryesisht me dhunën ndaj grave dhe se shkaqet e dhunimit janë të formave të ndryshme.
Drejtoresha Luarasi shton se, “mbi 90% e rasteve të dhunës në familje janë ndaj grave. Shkaqet janë të ndryshmet. Po ashtu edhe mosha është e ndryshme”.
Paralelisht me rritjen e numrit e rasteve të konstatuara nga policia të dhunës në familje, janë rritur edhe kërkesat për urdhër mbrojtjeje. Në vetëm katër vite, këto kërkesa janë rritur me 41% duke shkuar në 3037 kërkesa.