Shtimi i lejeve të ndërtimit ka rritur ofertën për apartamente të reja në Tiranë, ndërkohë që sipas agjencive imobiliare paralelisht janë rritur edhe çmimet e shitjes së banesave me 30-40% krahasuar me 5 vite më parë.
Lefter Sila, agjent imobiliar, thotë se rritja e ofertës nuk po shoqërohet me rritje të shitjes së banesave: “Ajo që vëmë re më shumë është se nëqoftëse e krahasojmë me periudhën para shumë vitesh, apartamentet në një pallat shiteshin kur pallati ishte në gjendje karabina, tani mbarojnë pallatet e reja dhe vërehet që ka apartamente akoma pa shitur”.
Edhe për ndërtuesit tregu është i frenuar. Luigj Aleksi nga Shoqata e Ndërtuesve tha: “Për mua është pothuajse i ndalur, janë sporadike ato shitje eventuale që mund të ndodhin”.
Kostot për ndërtimin e banesave janë rritur me 1% në 3-mujorin e fundit 2018, sipas INSTAT, por për ndërtuesit çmimet e larta të shitjes së apartamenteve lidhen me barrën fiskale.
“Është rritur taksa e infrastrukturës në mënyrë skandaloze. Për Tiranën paguhet 8% e çmimit të shitjes, 35% e merr pronari i truallit, është taksa e solidaritetit, ose taksa e sociales që ndikon gati në 20-25% të fitimit që merr subjekti, është taksa e dherave që është shtuar tani së fundmi, që është edhe ajo gati 3% e kostos së ndërtimit”, shpjegon Aleksi.
Taksat, sipas ndërtuesve, do të shkojnë si kosto e çmimit final të shitjes që paguhet nga konsumatori, kurse për agjencitë imobiliare çmimet e banesave do të jenë më reale pas disa viteve: “Meqënëse ka akoma pa shitur, unë mendoj se koha do ta tregojë për 2-3 vjetët e ardhshëm se si do të jetë më reale gjendja”./TCH