Zyra e presidentit të Republikës së Kosovës bëri me dije mëngjesin e së hënës së Hashim Thaçi është shtruar në Klinikën e Urologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Sipas Presidencës, Hashim Thaçi ka shfaqur probleme me veshkat dhe për këtë arsye po mbahet në kontrollin e mjekëve.
“Pas shqetësimeve të shfaqura nga gurët në veshkë, presidenti ka shkuar për një kontroll në Emergjencën e QKUK-së dhe më pas është shtrirë në Klinikën e Urologjisë, ku po trajtohet nga personeli mjekësor profesional”, shkruhet në njoftimin e Presidencës.
Sipas zyrës së presidentit, gjendja shëndetësore e Hashim Thaçit është e qëndrueshme.