Kishte kërkuar leje për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës
GJKKO ka shtyrë për në 11 dhjetor seancën për shqyrtimin e kërkesës së Fredi Belerit për të marrë leje të posaçme për betimin e tij si kryebashkiak i zgjedhur i Himarës në zgjedhjet e 14 Majit.
Kjo për shkak se drejtoria e burgjeve nuk kishte sjelle ne gjykatë vendimin e 7 shtatorit që i refuzoi lejen Belerit.
Në seancën e sotme Beleri e ka cilësuar diskriminim politik procesin ndaj tij, pasi siç tha ai “ka vendime politike dhe pozicionime të kryeministrit përpara çdo seance”.
“Nuk ndodh në asnjë shtet të botës që një humbës të vijojë të drejtojë. Padrejtësi që duhet të marrë fund, diçka që nuk pengohet me ligj, lejohet. Është parim kushtetues”, është shprehur Beleri. Ai ka thënë gjithashtu se do ta kërkojë të drejtën e tij në të gjitha gjykatat, edhe ato ndërkombëtare.
Avokatët thanë se janë refuzuar tre herë nga Drejtoria e Përgjithshme e burgjeve për lejen e kërkuar. Edhe seancën e sotme e ka ndjekur vetë Ambasadorja e Greqisë në Shqipëri, Konstantina Kamitsi.