Aktualitet Shtyhet seanca ndaj ish-oficerit të UÇK-së, Dritan Goxhaj

Shtyhet seanca ndaj ish-oficerit të UÇK-së, Dritan Goxhaj

Gjykata e Tiranës ka shtyrë seancën për ish-oficerin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Dritan Goxhaj.

Ky i fundit ka kërkuar ndryshim mase, teksa është dënuar me “40 ditë arrest në burg”. Shkak i shtyrjes është bërë mungesa e përfaqësuesit të akuzës Ylli Pjetërnikaj.

Mbrojtja kishte kërkuar revokim të masës arrest në burg, me argumentin se s’ka provë të re që prej 18 ditësh kur është dhënë masa.

Në sallën e gjyqit ai është shprehur se nuk ka bërë asgjë të paligjshme.

Kërkesa për arrestimin e tij erdhi nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës.

Deri më tani, institucionet e drejtësisë kanë sqaruar se ndalimi është bërë pasi Goxhaj akuzohet për kryerjen e veprave penale: “Frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.

Ai pritet të ekstradohet drejt Republikës së Kosovës, pas realizimit të procedurave nga autoritetet shqiptare.

Gjykata Speciale e Kosovës kishte lëshuar urdhër-arrest për Goxhajn, i cili ka qenë shoqërues i trupave amerikane gjatë vitit 1999.

Policia ushtroi kontroll, me kërkesë të Gjykatës Speciale, e cila më herët ka dërguar në pranga zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë të Prishtinës.

Goxhaj iu bashkua UÇK-së si oficer i Ushtrisë Shqiptare në shkollën e aviacionit dhe ka pasur autorizimin e Shtabit të Përgjithshëm që të mbante kontakte me komandën e forcave amerikane në Shqipëri.