Shtypi botëror ka qenë unanim në kritika dhe e ka vlerësuar si fatkeqësi, humbjen e thellë të Barcelonës në Ligën e Kampionëve. Mediat ndërkombëtare flasin për “poshtërim” dhe, madje, edhe fund të ciklit të skuadrës katalanase, duke iu referuar ndeshjes ndaj PSG-së, në “Parc des Princes”.
Në Francë, sidomos, flasin për punën e madhe të PSG-së dhe ratifikimit si trajner të Unai Emery, çka kishte qenë në pyetje. Gazeta “L’Equipe”, për shembull, në kopertinën e saj kryesore ka një titull të qartë; ”Të jashtëzakonshëm”, ndërsa faqet brenda raportojnë se “PSG-ja dërrmoi Barcelonën në një natë të bukur”, dhe se “stadiumi “Parc des Princes” ka jetuar atë që nuk e kishte imagjinuar njeri. Pjesa e parë ishte një kryevepër e vërtetë dhe PSG-ja i ka pothuajse të dyja këmbët në çerekfinale, pas dërrmës që u dha njërit nga të mëdhenjtë”.
Një gazetë tjetër franceze, “Le Figaro”, vë në dukje se “PSG-ja mundi Barcelonën në çdo drejtim”, ndërsa më pas thotë se “presioni në pjesën e parë e turpëroi Barcelonën. Me këtë fitore 4-0, PSG-ja mund të shkojë në “Camp Nou” e çlodhur”.
Gazeta “Le Monde”, gjithashtu, flet për poshtërimin e Barcelonës dhe superioritetin e PSG-së: “PSG u ka dhënë një ndëshkim të drejtë katalanasve. Dështimi është shumë turpërues për një Barcelonë të panjohur.”
Në Gjermani, edhe atje shkojnë përtej pritshmërive. Gazeta “Der Spiegel” thotë se “ky është fundi i një cikli të Barcelonës, ose i trajnerit Luis Enrique. Ky i fundit nuk kishte përgjigje për punën e PSG-së në mesfushë”.
Ndërkohë, “Bild”, e titullon lajmin: “Ndeshja e PSG-së”. Ajo vë në dukje se “Di Maria dhe Draxler paralizuan Barcelonën. Bien gjethet e skuadrës katalanase dhe PSG-ja troket në portat e çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve.”
Në Angli, situata paraqitet me nota shumë të njëjta. “The Guardian” ka titullin: “Di Maria godet dy here. PSG-ja me katër yje shpërbën Barcelonën”. Ndërkohë, “The Times” shkruan se “Barcelona bie nokaut në Paris” dhe vë në dukje se “PSG-ja jep një shfaqje mbresëlënëse kundër Barcelonës, në Paris”.
Nga Italia vjen titulli: Di Maria i dyfishtë, Messi zero”. Kështu nis kronika e të përditshmes “La Gazzetta dello Sport”, e cila vijon: “Katalanasit, pothuajse ishin të panjohur dhe jashtë çdo parashikimi. Mësim i madh nga ekipi i Unai Emery, me Luis Enrique të asgjësuar. Një natë e ëmbël për Ditën e Shën Valentinit. Messi, Neymar dhe Suarez mbetën të pagojë. Një natë historike për PSG-në.”
“Corriere della Sera”, gjithashtu, thekson figurën e Di Marias: “Di Maria është ylli i vërtetë. Messi, Neymar dhe Suarez, të eklipsuar. Liga e Kampionëve është kthyer me një surprizë e madhe.”