Marrëveshja e arritur të premten në shtëpinë e Bardhë në Uashington, në mes të Kosovës e Serbisë me ndërmjetësimin e SHBA-së, ka ngjallur interes edhe në mediat në gjuhën gjermane. Rreth kësaj marrëveshjeje të (pa)pritur kanë shkruar, kryesisht me qëndrim të rezervuar e mosbesues shumica e mediave në Gjermani, Zvicër e Austri.
Një analizë e ekspertit zviceran të Ballkanit, Christoph Wüthrich, e botuar në faqen e transmetuesit publik të Zvicrës SRF përmbledh më së miri të gjitha aspektet e kësaj marrëveshjeje, shkruan albinfo.ch.
“Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç dhe Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti u takuan me Presidentin e SHBA Donald Trump në Uashington dhe solemnisht nënshkruan një marrëveshje. Ajo pritet t’i afrojë të dy vendet ekonomikisht.
Por kjo marrëveshje është një konstrukt shumë i veçantë, në mos i çuditshëm: gjëja më konkrete që do të sjellë ajo për marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës është një deklaratë e vetëpërmbajtjes: Kosova do të përmbahet nga paraqitja e aplikacioneve për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare për një vit. Anëtarësim që duhej të konsolidonte pavarësinë e saj si shtet, transmeton albinfo.ch. Dhe Serbia, për një vit nuk do të ndikojë tek shtetet tjera që të revokojnë njohjen e tyre të Kosovës. Kjo sjell pak qetësi në marrëdhënie, por nuk mund të quhet përparim.
Marrëveshja gjithashtu përmban një numër deklarimesh të qëllimeve, secila prej tyre e përmbledhur në një deri në tri fjali. Pa masa konkrete, pa orar të caktuar të përmbushjes. Këtu bëhet fjalë për angazhime që tashmë janë bërë, por tani janë ripaketuar, sikur për shembull ndërtimi i hekurudhave dhe autostradave.
Mini-Shengeni si një tigër letre
Risi këtu përbën fakti se Kosova është përkushtuar të marrë pjesë në të ashtuquajturin Mini-Shengen, një ide serbe për tregti të lirë midis Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe tani, edhe Kosovës. Kjo ka për qëllim të heqë nga rruga shumë pengesa të vogla tregtare. Por, deri më tani projekti ka qenë një tigër letre, shkruan analisti zviceran.
Marrë në përgjithësi, marrëveshja korrespondon me atë që prisnin ekspertët: një marrëveshje që premton shumë ekonomikisht, por nuk garanton asgjë. Dhe që i mundëson Donald Trump-it ta shpallë atë para publikut të painformuar amerikan si një përparim të politikës së jashtme, para zgjedhjeve presidenciale.
Befasia me Izraelin
Dyshimin se kjo ngjarje lidhet kryesisht me fushatën elektorale të Presidentit Trump e vërteton edhe befasia e madhe që solli marrëveshja: krejt papritur, gjatë nënshkrimit, Trump njoftoi se Serbia do të bartte ambasadën e saj në kryeqytetin e ri të Izraelit, në Jerusalem. Ai po ashtu bëri të ditur se Izraeli dhe Kosova do të vendosin marrëdhënie diplomatike, përcjell albinfo.ch. Ambasada e Kosovës do të ngrihet gjithashtu në Jerusalem.
Ky është një biznes i çuditshëm midis Ballkanit, Lindjes së Mesme dhe -së, ku të gjithë marrin diçka:
Kosova njihet nga një vend më shumë – një pikë kjo për Kryeministrin Hoti.
Presidenti serb Vuçiç përqafohet me Donald Trump dhe kështu siguron mbështetjen e tij të ardhshme për politikën e tij të diskutueshme autoritare në rast të rizgjedhjes së Trump-it president.
Izraeli merr dy ambasada të tjera në Jerusalem, tashmë për herë të parë nga vendet evropiane.
Dhe Donald Trump është fituesi i madh, transmeton albinfo.ch. Brenda SHBA-së, vendosja e dy ambasadave në Jerusalem i jep atij pikë tek votuesit ungjillorë dhe hebrenj amerikanë.
Në këtë skenë, populli i Serbisë dhe i Kosovës vetëm mund të bëjnë sehir. Dobia praktike e marrëveshjes “është e shkruar në yje” (frazë në gjuhën gjermane që kuptohet si: për të mund vetëm të spekulohet).