Një vit më parë, Bashkimi Europian shtyu me 12 muaj hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ky skenar u përsërit edhe njëherë të martën në Luksemburg, në një mbledhje prapa dyerve të mbyllura, ku vendet anëtare raportohet të jenë përplasur ashpër për dhënien e dritës jeshile për Tiranën dhe Shkupin.
Nga njëra anë e tryezës duket se qëndronin vendet e Europës Qendrore dhe Juglindore, të cilat kanë kërkuar që Shqipërisë t’i jepet një shans, ndërsa nga ana tjetër ishin vendet më të mëdha të Europës Perëndimore, të cilat duket te kanë qenë kundër hapjes së negociatave me vendin tonë.
Pas një sërë diskutimesh për shkëputjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut, apo hapjes e bisedimeve vetëm më këtë të fundit, ministrat e BE-së duket të kenë arritur në një konsensus: shtyrjen e vendimit për të dyja vendet në tetor.
Por kush është pro dhe kush është kundër hapjes së bisedimeve me Shqipërinë?
Rumania, Çekia, Hungaria, Polonia, Bullgaria dhe Italia ishin aleatët që i dolën në krah Shqipërisë, përballë kritikave të vendeve si Holanda, Franca, Danimarka apo Belgjika.
Ministri rumun për Cështjet Europiane George Ciamba tha pas takimit se vendi i tij kishte bërë gjithçka që kishte në dorë për të shtyrë përpara procesin e zgjerimit.
Megjithatë ministri rumun u ndal në veçanti tek kriza në Shqipëri, duke thënë se shumë vende anëtarë nuk mundën të injoronin situatën politike në vendin tonë, e cila ndikoi në vendim e shumë shteteve skeptike për shtyrjen e datës së negociatave. “Shpresojmë që deri në tetor situate të përmirësohet për mirë dhe të ndryshojë mendimin e këtyre vendeve”, deklaroi Ciamba.
“Ky vendim është gjithashtu një lloj thirrje zgjimi për të gjithë në Shqipëri, qeverinë dhe opozitën”, deklaroi nga ana tjetër Komisioneri Johannes Hahn gjatë një konference për shtyp kur njoftoi shtyrjen e negociatave.
Ministri çek i Punëve të Jashtme Tomáš Petříček foli gjithashtu në favor të hapjes së bisedimeve të pranimit me Tiranën dhe Shkupin.
Po ashtu ministri hungarez Peter Szijjarto tha pas mbledhjes se ishte e turpshme që BE-ja nuk arriti të marrë një vendim për negociatat me Shkupin dhe Tiranen.
Ashtu siç edhe pritej në mbledhjen e Këshillit të BE-së, Holanda konfirmoi qëndrimin e saj si kundërshtarja më e madhe e hapjes së bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë. Përfaqësuesit holandez thanë se kanë dyshime serioze në lidhje me pranimin e vendit tonë në BE, për shkak të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Por nuk është vetëm kjo arsyeja përse parlamenti holandez i sheh me sy kritik negociatat me Shqipërinë. Deputetët holandezë kanë paraqitur një kërkesë që Shqipëria të mbetet në pritje, ndërkohë që t’i jepet një datë konkrete Maqedonisë së Veriut për negociatat.
Një shkëputje të dy vendeve në raundin e ardhshëm e refuzon Italia, që si vendi i drejtpërdrejt fqinjë me Shqipërinë në Adriatik e mbështet fort anëtarësimin e saj. Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas (SPD) javën e kaluar u shpreh për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me të dyja këto vende kandidate, por ai u frenua prej partnerit të koalicionit në Berlin duke iu referuar nevojës së miratimit në Bundestag.
Një diplomat thotë se në mesin e shumicës së vendeve që mbështesin zgjerimin (deri në 15 qeveri), vetëm Italia këmbëngul që procesi i anëtarësimit të Shqipërisë mos të shkëputet nga ai i Maqedonisë së Veriut.
Vendet që kërkuan fillimin e bisedimeve fajësuan Parisin, i cili shtyu publikimin e progres-raporteve vjetore të Komisionit Europian për më shumë se një muaj, deri pas zgjedhjeve të Parlamentit Europian. “Ky vendim nxiti problemin e ‘kohës së kufizuar në dispozicion’ të përmendur në tekstin përfundimtar”, tha një diplomat i lartë nga Europa Juglindore për “Politico”.
Por Parisi nuk ishte i vetëm në favor të shtyrjes së bisedimeve në përpjekje për ta mbajtur këtë çështje larg fushatës zgjedhore europiane. “Gjermania ishte shumë mbështetëse ndaj qëndrimit të përfaqësuesve francezë,” tha Hahn.
Vetë Franca argumentoi zyrtarisht se BE-ja duhet së pari të forcojë institucionet dhe vendimmarrjen e saj para se të nisë çdo proces për zgjerim të mëtejshëm.
Por Hahn kundërshtoi qëndrimin e Francës, duke pretenduar se kohezioni dhe zgjerimi i brendshëm i Europës nuk ishin procese të ndara “të cilat duhet të ndodhin njëra pas tjetrës”, por mund të ndodhnin paralelisht.
Por një goditje e papritur ndaj Shqipërisë duket se erdhi nga Qiproja, e cila paralajmëroi se do të vinte veton ndaj çdo vendimi për zgjerimin, nëse BE nuk ndërmerr masa kundër Turqisë, e cila aktualisht është duke shpuar për gaz në det të hapur në brigjet e ishullit.
Qëndrimi i Nikozisë u kritikua nga ministri i Jashtëm italian Enzo Moavero Milanesi i cili i tha “Reuters” se çështjet e ngritura nga Qiproja “nuk kanë të bëjnë fare me anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”.
Shtyrja e bisedimeve për në tetor, ka zemëruar disa nga anëtarët e BE-së dhe zyrtarët e Komisionit Evropian. Ata argumentojnë se vonesa e këtij vendimi minon kredibilitetin e Bashkimin Europian dhe se e vë qeverinë e kryeministrit Edi Rama dhe atë të Zoran Zaev në rrezik si dhe rrezikon të rrisë rivalët strategjikë në Ballkanin perëndimor siç janë Rusia, Kina dhe Turqia.
Ideja e zgjerimit të Bashkimit Europian është jopopullore në shumë vende anëtare të Europës Perëndimore, të cilët kanë frikë se hapja e negociatave me Shkupin dhe Tiranën mund të çojë në rritjen e emigracionit./Marrë me shkurtime nga Gazeta Si