Kontrolli i Lartë i Shtetit ka nisur kontrollet mbi të gjitha hallkat e strukturave të reagimit kundër zjarrit, në të gjitha qytetet ku flakët po shkrumbojnë kullota dhe pyje.
Ky institucion do të verifikojë menaxhimin që po bëhet për procesin e shuarjes së zjarreve, duke nisur që përdorimi i pajisjeve si dhe anën organizative.
KLSH do të verifikojë tenderimet për pajisjet e zjarrfikësve si dhe hallkave të tjera të emergjencave civile nëse përputhen fizikisht me ato që janë blerë si dhe mungesën e tyre gjatë operacioneve.
Nëse ky institucion do të hasë shkelje, do të ketë referime përkatëse në prokurori.
Aktualisht sipërfaqe të tëra janë duke u djegur në pika të ndryshme, ndërsa më problematike paraqitet situata në Karaburun.
Në këtë zonë deri më tani janë djegur rreth 10 hektarë shkurre dhe pemë dhe flakët po i afrohen parkut të Llogarasë.