Sot futbolli korçar dhe Shqiptar u gdhi në zi! Lajm i hidhur dhe tejet i trishtë për sportin korçar dhe atë kombëtar, ikja në amshim e ikonës dhe legjendës së futbollit shqiptar, Profesor Teodor Vaso!
Trishtueshëm dhe dhimbshëm m’u përgjigje oh zot në këtë të dielë mes marsi, 2024. Lajmi i ndarjes nga jeta, e ikonës dhe legjendës të Skënderbeut dhe Partizanit të viteve ‘70ë, Prof. Teodor Vaso, trishtoi dhe tronditi thellë Korçën e korçarët mëngjesin e kësaj të diele.
Profesor Teodor Vaso është një nga personalitet më shquara të elitës korçare, që na ka dhënë aq shumë mund, djersë, inteligjencë dhe kulturë sportive në fushat e blerta kombëtare e ndërkombëtare, duke na falur emocione të përhershme…
Profesor Teodor Vason e kisha mik të mirë e të hershëm, nuk më bashkonte vetëm ndjenja e bashkëqytetarisë të qenit korçarë 24 karat, por kemi qenë edhe kolegë te gjimnazi “Themistokli Gërmenji” për gati dy vjet.
Pikërisht kjo miqësi mua më dha shansin e bukur e mbresëlënës të zhvilloja edhe një Super Intervistë në vitin 2016-ë. Dhe jo vetëm kaq! Sa herë vija në Korçë, me Todon (kështu e thërrasin korçarët) organizonim evente përkujtimore në nderim të figurave të shquara të futbollit korçar, që janë ndarë para kohe nga jeta.
Edhe pse sot është një ditë e trishtë dhe e dhimbshme se Todoja ynë iku në amshim, unë sot dëshiroj të kthehem ndër ato vite të shekullit të kaluar, dhe të sjell panoramën- kujtesë, mbresëlënëse dhe historike, legjendën, ikonën e futbollit korçar dhe atij shqiptar, – të Pakalueshmin, -Teodor Vaso- një figurë sportive dominuese në ndeshjet kombëtare e ndërkombëtare, që i dha famën dhe bëri historinë e një futbolli më profesional, spektakolar, historik e mitik të shekullit të kaluar! Prof. Teodor Vaso është futbollisti mes më të mëdhenjve futbollistë shqiptarë, që ka njohur ndonjëherë historia e futbollit shqiptar, që me lindjen e tij. Profesori dhe Mjeshtëri Teodor Vaso i përket elitës së shquar të sportit shqiptar, ma i miri i të mirëve, i përket futbollistëve legjendë dhe heronjve të kohës që jetonin dhe ia dolën, bënë dhe shkruan me gërma të arta historinë e futbollit shqiptar. Me inteligjencë, pasion, talent e profesionalizëm, Teodor Vaso arriti të shkruante historinë e futbollit korçar në nivel kombëtar, europian e botëror. I pakalueshmi Vaso prej sot do të prehet në Paqen e Amshuar, Fisnik dhe Krenar, Idhull dhe Legjendë!
Sepse Legjendat nuk vdesin kurrë!
Profesor Teodor Vaso do të mbetet figura madhore, jo vetëm për gjeneratën që i përkiste dhe të ardhmes, por edhe për ata ëndërrimtarët, sportistët e rinj, që dëshirojnë t’iu ngjajnë atyre, që bënë Epokën e Futbollit Shqiptar!
Profesor Teodor Vaso, kjo figurë sportive dominuese, vlerë kombëtare dhe historike, është futbollisti mes më të mëdhenjve futbollistë shqiptarë, që ka njohur ndonjëherë historia e futbollit shqiptar, që me lindjen e tij. Më një karrierë të artë, që përputhet me biografinë e mahnitëshme e të Pakalueshmit -Teodor VASO.
Lindi, u rrit dhe jetoi në qytetin e lindjes, në Korçën e tij të dashur, që nuk e “braktisi” kurrë.
Teodor Vaso është diplomuar në Institutin e Kulturës Fizike ”Vojo Kushi” në Tiranë. Trajner dhe Specialist futbolli pa ndërprerje, që nga viti 1972-, -55 vjet aktivitet sportiv. Në dy vitet e fundit, 2012-2013, në funksionin e të deleguarit të FSHF-së, për ndeshjet në qarkun e Korcës. Kampion kombëtar me ekipin”Partizani”në vitin futbollistik 1963-64 dhe fitues i Kupës së Republikës në atë vit dhe në vitin 1966-ë. Fitues i Kupës Ballkanike me klubet, në 1970 –ën, vecmas me ”Partizanin”. Fitues i anketës 5 Sportistët “Më Të Mirë të vitit 1967-ë”, në përbërje të ekipit kombëtar të futbollit, që eliminoi RF Gjermane, në 17-12-1967—ën. ”Mjeshtër i Merituar i Sportit”, dekoruar me “Medaljen e Artë” për merita të shquara në sport’, me rastin e 90 vjetorit të themelimit të Shoqërisë së parë kulturalo- sportive, në Korcë. Medalje e FSHF-së, me motivacionin për rezultate të larta në ndeshjet e futbollit me ekipet, që ka luajtur brenda dhe jashtë Shqipërisë. Futbollisti ”Më i Mirë i Shekullit ” për Korçën, në anketën e bërë me rastin e 90 vjetorit në fjalë. Ka luajtur në të gjitha rolet e formacionit futbollistik, me përjashtim të rolit të portierit, në të gjitha ndeshjet kombëtare dhe ndërkombëtare. Ka shënuar 26 gola duke qenë në role mbrojtëse, dhe ka qenë përfaqësues në 36 ndeshje ndërkombëtare, 18 ndeshje me kombëtaren shqiptare, 15 ndeshje me skuadrën”Partizani dhe 3 me skuadrën korçare.
Lamtumirë miku dhe kolegu im i hershëm, Profesor Tedodor Vaso- Legjendat nuk vdesin kurrë!
Prehu në Paqen e Amshuar, Super Mbrojtësi historik kombëtar, -I pakalueshmi, Teodor Vaso!
Të Qoftë Dheu i lehtë në Korçën tënde që TI e doje, e respektoje dhe e krenoje aq madhërishëm në Futbollin korçar e shqiptar, në jetë e qytetari!
Ngushëllimet e mija të përzemërta Familjes Vaso, klubit të Futbollit Skënderbeu të Korçës dhe klubit “Partizani”!
Ngushëllimet e mija të përzemërta bashkëqytetarëve dhe sportdashësve korçarë dhe shqiptarë, kudo që ndodhen, në Korçë, Amerikë dhe në Botë.
Me Dhimbje dhe Respekt të pakufi
Pranë Familjes Vaso
Raimonda Moisiu & Familja
Author/Freelance journalist
Jacksonville, Florida SHBA