Politika Basha, akuza Ramës: Bëre pazar me Berishën për të goditur SPAK-un

Basha, akuza Ramës: Bëre pazar me Berishën për të goditur SPAK-un

Kreu i Partisë Demokratike u është përgjigjur deklaratave të bëra nga kreu i qeverisë Edi Rama, në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste.

Teksa vijoi ta cilësojë “pazar të pastër”, marrëveshjen e arritur mes socialistëve dhe demokratëve të Rithemelimit, Lulzim Basha i kujtoi kryesocialistit, se kur s’i duhet e quan Sali Berishën “non grata” dhe kur i duhet, i thërret partner.

Sipas kreut të demokratëve, “pazari” mes PS-së dhe Rithemelimit është bërë për të ruajtur ndryshimet kushtetuese në vitin 2008, por jo vetëm. Si pika të tjera të përbashkëta mes socialistëve dhe kolegëve të tij nga Rithemelimi, Basha sheh interesin për të zhbërë ligjin e dekriminalizimit dhe për t’i bërë presion drejtësisë së re.

“Partia Demokratike është e vendosur për një koalicion të gjerë me qytetarët dhe me të gjithë faktorët politikë që duan një Shqipëri të njerëzve dhe për njerëzit kundër kastës së vjetër 35-vjeçare të dinozaurëve të korrupsionit,” shton Basha.

Më herët gjatë ditës së sotme, nga Durrësi ku PS mblodhi Asamblenë Kombëtare, kryesocialisti Edi Rama, akuzave se marrëveshja PS-Rithemelim ishte një pazar i tij me Sali Berishën për të goditur SPAK-un, u përgjigj duke thënë se partia që ai drejton është “flamurmbajtëse e Reformës në Drejtësi ndaj do ta motivojë përherë që ajo të godasë majtas dhe djathtas, kudo ku shkelet ligji.”

Sipas tij ashtu siç nuk ka marrëveshje me “non-gratën”, nuk ka as socialistë të trembur nga SPAK.