Aktorja e famshme me origjinë shqiptare Irene Papas, e cila ka luajtur në mbi 70 filma në karrierën e saj mbi 50-vjeçare është ndarë nga jeta sot në moshën 96-vjeçare.
Në një intervistë të dhënë në moshën 90-vjeçare ajo e ka pranuar se ishte me origjinë shqiptare.
“Nuk mund të largohem nga kjo botë pa thënë të vërtetën. Unë jam shqiptare. Kam lindur në vitin 1926 dhe emri im i parë ishte Lelekou”, deklaroi ajo.
Aktorja lindi më 3 Shtator 1926 në fshatin Chiliomodi, jashtë Korintit, Greqi. Familja e saj u transferua në Athinë kur ajo ishte 7 vjeç. Në adoleshencë ndoqi Shkollën Mbretërore të Artit Dramatik në Athinë. Gjatë karrierës së saj, ajo u konsiderua një simbol i bukurisë greke dhe një përfaqësuese e famshme e kulturës mesdhetare jashtë vendit, duke interpretuar role të rëndësishme në teatër dhe në kinema. Karrierën e aktrimit ajo e nisi fillimisht në teatër.
Në 1961 Pappas luajti në The Guns of Navarone dhe në 1964 në Zorba the Greek të Cacoyannis, që e ktheu atë në një yll ndërkombëtar. Një nga paraqitjet e saj të fundit në film ishte në Mandolin e Kapitenit Corelli në 2001. Pappas fliste rrjedhshëm edhe italishten, duke marrë mjaft role në këtë shtet.
Kundërshtimi i saj ndaj diktaturës ushtarake të Greqisë (1967-1074) e dërgoi atë së bashku me artistë të tjerë, në mërgim në Itali dhe Nju Jork, por u kthye vite më vonë.
Në vitin 1995, ajo mori çmimin e Komandantit të Urdhrit të Feniksit nga presidenti i atëhershëm grek Kostis Stefanopoulos.
Në vitin 2018, u bë e ditur se ajo vuante nga sëmundja e Alzheimerit që e shoqëroi përgjatë gjithë pjesës tjetër të mbetur të jetës së saj.