Kryeministri Edi Rama ka njoftuar nga Abu Dhabi se do të firmosë sot marrëveshjen për ndërtimin e dy mijë apartamenteve në Durrës, me princin e kurorës, Mohamed bin Zaed. Sipas kreut të qeverisë, apartamentet në Durrës do të realizohen nga sipërmarrësi i njohur i botës arabe dhe ndërtuesi i Burj Khalifa-s, ndërtesës më të lartë në Dubai.
“Sot, në 1-vjetorin e tragjedisë së tërmetit, jam këtu për të firmosur marrëveshjen e financimit për ndërtimin e 2 mijë apartamenteve në Durrës. Mohamed bin Zaed më hapi derën e shtëpisë në ato ditë të zymta dhe dëgjoi lutjen për ndihmë.
I hap rrugë kantierit në javët e ardhshme. Qeveria do të investojë infrastrukturën e lagjes së re në Spitallë, ndërsa sipërmarrësi i mirënjohur i botës arabe, ndërtuesi i ngrehinave mbresëlënëse Burj Khalifa, Mohamed Alabbar, do të realizojë banesat e Spitallës dhe ndërtesat që do të ndërtohen në vend të pallateve të shembura në Durrës”.
Rama është shprehur se ka rënë dakord me Emiratet e Bashkuara Arabe edhe për investime e projekte afatgjata në vendin tonë, duke filluar nga Durrësi me transformimin e portit të mallrave.
“Kemi dakordësuar edhe përfshirjen e Emirateve Arabe për zhvillimin e Durrësit përmes investimeve direkte të projekteve të mëdha në turizëm dhe jo vetëm. Marrëveshja i hap rrugën qeverisë shqiptare për investime të drejtpërdrejta në Shqipëri duke nisur nga Durrësi, për transformime të portit të mallrave.”
Kjo është hera e dytë që Mohamed bin Zaed rikthehet në Shqipëri pas 20 vjetësh, kur ndihmoi viktimat e luftës në Kosovë.
“Mohamed bin Zaed erdhi për herë të parë në Kukës për të mbështetur viktimat e spastrimit etnik nga Kosova. Ai rikthehet në Shqipëri pas 20 vjetësh, jo vetëm për të ndihmuar familjet e prekura, por edhe për të na mbështetur për Shqipërinë që duam”.