Sport Vdekja e Maradonës, në të njëjtën ditë Fidel Castron: Por a ishte...

Vdekja e Maradonës, në të njëjtën ditë Fidel Castron: Por a ishte ai një komunist?

Bota u trondit dje nga lajmi se futbollisti legjendar argjentinas Diego Armando Maradona ka ndërruar jetë.

Zemra e tij pushoi së rrahuri në të njëjtën ditë me përvjetorin e katërt të vdekjes së mikut të tij të madh, ish-Presidentit kuban Fidel Castro.

Maradona u trajtua në mënyrë të përsëritur në Kubë për varësi nga droga dhe ai e konsideronte Castron si babanë e tij të dytë.

“Unë nuk jam një komunist, por një besnik, deri në vdekjen time,” tha Maradona në atë kohë.

Diego kishte një marrëdhënie kaq intime me Castron, saqë tatuazhoi figurën e tij në pjesën e poshtme të këmbës së majtë.

Argjentinasi e mësoi lajmin e vdekjes së Kastros në 2016 në Zagreb, ku ndiqte finalen e Kupës Davis midis Kroacisë dhe Argjentinës.

“Ata më thirrën herët në mëngjes nga Buenos Aires dhe më dhanë lajmin që më tronditi. Ai ishte një njeri i madh”, tha Maradona në atë kohë.

Legjenda argjentinase kishte thurur një marrëdhënie të ngushtë me Fidel Castron, të karakterizuar nga admirimi i ndërsjelltë, në një ndërthurje të çuditshme të pasionit për politikën dhe dashurisë për sportin.

Ishte viti 1987 kur “El Pibe de Oro” shkoi në Kubë për herë të parë si mysafir i liderit komunist.

Gjatë viteve të varësisë nga kokaina, ishte pikërisht Kuba ku argjentinasi qëndroi për tu kuruar, ndërsa miqësia me Castron u bë gjithnjë e më e ngushtë.

“Ju jeni Che Guevara i sportit“, i tha lideri kuban Maradonas, me këtë të fundit që bëri si tatuazh në sup figurën e dy heronjve të Revolucionit të ’59.

Edhe goli kundër anglezëve gjatë Kupës së Botës Meksikë ’86, i njohur si “Dora e Zotit”, ishte një formë rebelimi e Diego Armando Maradonas. Përmes këtij gjesti dinak kampioni ndëshkoi një Perandori që, katër vjet më parë, kishte pushtuar Ishujt Falkland-Malvinas, duke vrarë qindra argjentinas të rinj.