Të martën republikanët fituan në njërin nga dy shtetet ku u zhvilluan zgjedhjet për guvernator dhe në tjetrin humbën me një rezultat shumë më të ngushtë nga ç’pritej. Disa e shohin humbjen e demokratëve në shtetin e Virxhinias si një shenjë paralajmëruese për këtë parti para zgjedhjeve të vitit të ardhshëm për Kongres, kur garohet për të gjitha ulëset e Dhomës së Përfaqësuesve dhe një të tretën e vendeve të Senatit.
Dy befasi jo të mira për demokratët, republikanët fituan garën për guvernator të Virxhinias për herë të parë pas dekadash me një kandidat që kurrë nuk ka mbajtur poste publike.
“Virxhinia, fituam”, tha zoti Glenn Youngkin para mbështetësve.
Në Nju Xhersi, Guvernatori demokrat Phil Murphy është rizgjedhur, por në një garë të ngushtë që nuk u përcaktua deri të mërkurën vonë.
“Faleminderit Nju Xhersi për besimin e dhënë tek ne për katër vite tjera”, tha ai.
Në Virxhinia, kandidati demokrat për guvernator Terry McAuliffe u mundua të bëjë lidhjen e rivalit Youngkin me ish-Presidentin Donald Trump. Ai shpresonte në mbështetjen e votuesve të shtetit ku demokrati Joe Biden fitoi me 10 për qind epërsi në zgjedhjet presidenciale. Ndërsa republikanët nga ana tjetër u përqendruan në çështje si taksat, edukimi dhe shkalla e krimit.
“Perceptimi i publikut për momentin ishte se demokratët, të cilët kanë kontrollin e Uashingtonin, nuk mund të realizojnë ato që thonë dhe se kanë vështirësi si parti”, thotë Mark Rozell nga Universiteti George Mason.
Këtu bëhet fjalë për planin e Presidentit Biden për të zgjeruar rrjetin e sigurisë sociale dhe luftën ndaj ndryshimeve klimatike, projekt që kushton 1.75 trilion dollarë. Ja çfarë kishte deklaruar zoti Biden ndërsa amerikanët votuan të martën.
“…Do të ulë inflacionin, do të rrisë pagat, shtojë konkurrencën dhe krijojë 2 milionë vende pune në vit”, thoshte ai.
Por ky projektligj ka ngecur në Kongres ndërsa demokratët progresistë dhe ata të moderuar nuk po merren vesh për shumë dispozita të tij. Republikanët e shohin rezultatin e zgjedhjeve si dëshmi të kundërshtimit të amerikanëve për planin.
“Demokratët duhet të dëgjojnë votuesit dhe të heqin dorë nga lëvizjet e pamatura me taksat dhe shpenzimet dhe të ndalojnë përpjekjet për arritjen e një transformimi socialist që populli amerikan nuk e kërkoi kurrë”, tha republikani Mitch McConnell, udhëheqës i pakicës në Senat.
Por demokratët këmbëngulin se do të realizojnë premtimet ndaj votuesve, përfshirë planin social të Presidentit Biden.
“Sfidat me të cilat përballen familjet dhe punëtorët amerikanë janë të mëdha. Programi i Presidentit Biden ndihmon tejkalimin e vështirësive të tyre. Kjo është ajo që do dhe i duhet popullit amerikan”, thotë demokrati Chuch Schummer, Udhëheqës i shumicës në Senat.
Zgjedhjet për guvernator shpesh nuk sjellin rezultate pozitive për partinë që kontrollon Uashingtonin. Demokratët kanë një shumicë të vogël në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat, të cilën duhet ta mbrojnë në zgjedhjet për Kongres të vitit tjetër ku zakonisht fituese del partia kundërshtare.
Rezultatet e së martës në Virxhinia shtuan pesimizëm tek demokratët dhe optimizëm tek republikanët para zgjedhjeve që mbahen më 2022./VOA