Histori Si do të ishte bota nëse Lufta e Dytë Botërore nuk do...

Si do të ishte bota nëse Lufta e Dytë Botërore nuk do të ndodhte kurrë

Ndonëse nuk ishte lufta që i dha fund të gjitha luftërave, siç edhe u premtua, është një fakt që Lufta e Parë Botërore e rindërtoi rendin gjeopolitik të botës tonë. Mbretërit, kajzerët dhe carët u rrëzuan nga froni në të gjithë Europën. Kombe të reja dolën nga rrënojat e perandorive të lashta, ndërsa Shtetet e Bashkuara arritën statusin e superfuqisë.

Por zgjidhja që prodhoi lufta, ishte aq e hidhur për disa sa që Marshalli Earl Wavell e quajti atë me përbuzje si “Paqja që do t’i japë fund Paqes”. Mund të jetë shumë e thjeshtë të fajësohet Traktati i Versajës për Luftën e Dytë Botërore, por është sërish fakt që ai e la Europën të paqëndrueshme, dhe mund të ketë kontribuar tek Depresioni i Madh, që vetëm sa i ushqeu pakënaqësitë dhe e ripërtëriu nacionalizmin.

Ishte pikërisht ky traktat, që mundësoi fillimin e Luftës së Dytë Botërore, që solli me vete ndryshime edhe më të mëdha. Ajo e përshpejtoi rënien e perandorive të mbetura evropiane dhe ngritjen në skenën globale të SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik. Po ashtu, mundësoi një zgjerim të shpejtë të teknologjisë, dhe la në gërmadha pjesë të mëdha të botës, saqë ndonjëherë 1945-a u quajt edhe “Viti Zero”.

Po sikur të mos kishte ndodhur kurrë? Po sikur tensionet e vazhdueshme në Europë nga Lufta e Parë Botërore, të mos ishin ndezur aq shumë? Po sikur fuqitë botërore të shfrytëzonin rastin për ta ndalur përhapjen e nazizmit? Ne do ta gjenim veten në një botë shumë të ndryshme, në një botë pa disa nga historitë më të tmerrshme të shekullit XX-të. Por ndoshta edhe pa shumë nga përparimet që i njohim sot.

Hitleri mund të zëvendësohej nga një Kajzer

Lufta e Dytë Botërore, nisi me pushtimin gjerman të Polonisë në vitin 1939. Por ambiciet agresive të nazistëve, ishin bërë të qarta që më parë. Pushtimi i Austrisë dhe aneksimi i Çekosllovakisë në vitin 1938, ngjallën frikën e një konflikti të ri. Të vendosura për të shmangur një skenar të tillë, Britania dhe Franca ndoqën një qasje tolerante ndaj Gjermanisë. Ndërkohë udhëheqësit ushtarakë të Gjermanisë nuk e pranuan njëzëri vendosmërinë e Hitlerit për të pushtuar Çekosllovakinë, sepse në vitin 1938 ajo nuk ishte plotësisht e përgatitur për luftë. Mbi të gjitha, shumë ushtarakë ishin shumë të shqetësuar nga udhëheqja e Adolf Hitlerit dhe nazizmit.

Nënkoloneli Hans Oster, hartoi një plan për ta përdorur pushtimin e parashikuar të Çekosllovakisë si një justifikim për një grusht shteti. Plani parashikonte vrasjen e Hilerit, rivendosjen e monarkisë gjermane dhe të një sistemi parlamentar të ngjashëm me atë në Britani.

Për historianët mbetet e paqartë, nëse komploti ishte i mirë-planifikuar, pasi gjeneralët kryesorë nuk e mbështetën plotësisht atë. Por nëse Oster dhe njerëzit e tij do të ishin përgatitur siç duhet dhe politika tolerante e Parisit dhe Londrës nuk do t’u kishte hequr pretekstin, lidershipi nazist do të ishte neutralizuar, do të pezullohej marshimi drejt Polonisë, dhe do të anulohej lufta e re.

Perandoritë mund të ekzistonin ende sot në një botë me disa pole

Paratë dhe humbjet njerëzore gjatë Luftës së Parë Botërore, e zhytën në borxhe Perandorinë Britanike. Po ashtu, lufta fuqizoi popujt e nënshtruar, duke nxitur lëvizjet për autonomi dhe pavarësi, një tendencë e përshpejtuar pas Luftës së Dytë Botërore. Gjithsesi Perandoria Britanike ishte ende në këmbë në vitin 1939, siç ishin edhe ato të Italisë, Francës dhe Japonisë.

Bashkimi Sovjetik po dilte në skenën globale si një fuqi e madhe, ndërsa SHBA-të po e konsolidonin më tej pozitën e tyre. Nëse nuk do të ndodhte Lufta e Dytë Botërore, perandoritë e Botës së Vjetër, mund të vazhdonin të ekzistonin, të paktën për një fare kohë. Kështu për shumë dekada të tjera, mund të mos shihnim shtetet e pavarura të Indisë, Indonezisë, Vietnamit etj, dhe karakteri i tyre kur të shkëputeshin më në fund, do të ishte ndryshe nga ai që njohim sot.

Bashkimi Sovjetik mund të mos ishte bërë një superfuqi

Nazistët e shihnin Rusinë si një gjigant të dobësuar dhe të lehtë për t’u pushtuar. Megjithatë, kur mbaroi lufta, Gjermania përfundoi në gërmadha, Adolf Hitleri vrau veten dhe BRSS nën udhëheqjen e Stalinit krijoi një perandori të re në botën e pasluftës, si superfuqia e madhe komuniste që luftonte me Shtetet e Bashkuara për ndikim global.

Pa Luftën e Dytë, gjërat mund të mos kishin shkuar kështu. Tek e fundit, arsyeja e ekzistencës së Revolucionit Rus – emancipimi i proletariatit, përpara një revolte mbarëbotërore – nuk arriti të realizohej. Rusia e viteve 1920-1930, kishte shumë ndarje të forta ideologjike midis lidershipit të saj, që përfunduan me triumfin e Stalinit dhe një spastrim të rivalëve të tij.

Politikat e qeverisë komuniste, e përshkallëzuan zinë e bukës në shumë rajone, ndërsa përpjekjet për industrializim u dëmtuan nga vetë-mashtrimi. Edhe pse në rritje nga fundi i viteve 1930, Bashkimi Sovjetik ishte një shtet shumë i trazuar. Nëse Hitleri do të ishte rrëzuar nga pushteti në vitin 1938, ai nuk do të kishte nënshkruar paktin e mossulmimit me Stalinin, dhe një Rusi kaq e rrënuar nuk do të kishte qenë në gjendje të aneksonte gjysmën e Polonisë. Dhe pa një luftë, BRSS gjithashtu nuk do të kishte pasur pretekstin për ta shtrirë ndikimin e saj në Europën Lindore. Madje frika nga komunizmi në Perëndim, mund ta kishte futur Britaninë dhe Francën në luftë kundër Rusinë. Dokumentet e de-klasifikuara, tregojnë se gjatë Luftës së Dimrit (Lufta disamujore midis Finlandës dhe Bashkimit Sovjetik), ata morën në konsideratë mundësinë e bombardimit të fushave ruse të naftës.

SHBA do të kishte dalë më ngadalë nga Depresioni i Madh

Franklin Roosevelt i kaloi vitet 1930 duke zbatuar Marrëveshjen e tij të Re (New Deal), për të luftuar krizën e madhe ekonomike, e cila hyri në histori si Depresioni i Madh. Programet e tij lehtësuan vuajtjet e shkaktuara nga rënia ekonomike, por Depresioni ishte ende i pranishëm kur presidenti kërkoi një mandat të tretë të paprecedentë në vitin 1940.

Por të mos ishin rrethanat e luftës, në ato zgjedhje mund të fitonte republikani Wendell Willkie. Ky i fundit ishte një biznesmen dhe një ish-demokrat. Ai kritikoi ashpër aspektet ekonomike të New Deal dhe retorikën e Roosevelt kundër elitës. Ndaj analistët thonë se pa Luftën e Dytë Botërore që e mobilizoi plotësisht ekonominë, Depresioni i Madh mund të kishte zgjatur edhe disa vite të tjera.

Progresi i gjithanshëm do të ishte më i ngadaltë

Tmerret e Luftës së Dytë Botërore, u shoqëruan nga ana tjetër me një përparim të rëndësishëm teknologjik dhe me forcimin e lëvizjeve demokratike dhe të të drejtave civile. Në kuadër të luftës, SHBA-ja kreu zhvillimin në shkallë të gjerë të penicilinës. Nga ana tjetër një studim mbi gazin helmues mustardë, çoi në një zbulim të ngjashëm në kimioterapi. Edhe furrat me mikrovalë lindën nga zhvillimi në teknologjinë e radarit nga ana e Forcave Ajrore të SHBA-së.

Dhe Lufta e Dytë Botërore na futi në epokën atomike, me gjithë premisat por edhe frikërat e saj. Të gjitha këto përparime në shkencë dhe teknologji, mund të kishin ndodhur edhe pa Luftën e Dytë Botërore. Por pa forcën lëvizëse të atij konflikti, mund të kishin kaluar dekada para se t’i njihnim, dhe aq më pak t’i kishim në dispozicion si pjesë të jetës së përditshme. Dhe pa zhvendosjen e kaq shumë talenteve shkencore të shkaktuara nga lufta, ato do të ishin zhvilluar në vende të ndryshme.

William Fischer/ Grunge