Sport Parakalime dhe humor ndryshe, si arrijnë Interi dhe Juventusi në “Derby d’Italia”

Parakalime dhe humor ndryshe, si arrijnë Interi dhe Juventusi në “Derby d’Italia”

Kishte shumë pak dyshime, praktikisht zero, për faktin se mund të ishte vërtet sfida e titullit. Një sinjal mjaft i mirë për “nënën” e të gjitha ndeshjeve dhe simbol i çdo rivaliteti në futbollin italian. Interi dhe Juventusi janë në pritje të përplasjes direkte në Serie A, pak më shumë se dy muaj pas të parës.

Në Torino, 26 nëntorin e kaluar u regjistrua barazimi zhgënjyes 1-1, ku spikati mbi të gjitha dëshira për të mos humbur nga të dyja skuadrat. Në “Allianz Stadium”, Juventusi dhe Interi përfunduan duke frenuar njëri-tjetrin në një ndeshje pa argëtim, manifesti më pak i përshtatshëm për të ashtuquajturin derbin e Italisë.

Të dielën në mbrëmje, sipas të gjitha gjasave, skenari do të jetë krejtësisht ndryshe. Frika e largimit nga fusha pa pikë në xhep do të zëvendësohet nga objektivi konkret i tri pikëve, me renditjen dhe disponimet disi kontradiktore.

KREU ZIKALTËR – Java e fundit e Serie A na dha një ndryshim të ri në krye të renditjes, falë hapit të gabuar të Juventusit që nuk shkoi përtej barazimit në “Allianz Stadium” ndaj Empolit.

Bardhezinjtë u ndëshkuan nga përjashtimi me karton të kuq i Milik pas disa minutash. Baldanzi iu kundërpërgjigj më të mirit në skuadrën e Allegrit, serbit Vlahovic.

Kështu, “Zonja e Vjetër” kaloi nga +4 pikë potenciale në -1 pikë nga Interi, me një ndeshje më shumë të luajtur. Lautaro “tërhoqi zvarrë” Interin në Firence, duke iu dhënë mundësinë të tijve të prezantohen në sfidën e madhe me një pikë avantazh dhe perspektivën për zgjerim të mëtejshëm të distancës në krye, që mund të bëjë ndryshim të madh në aspektin emocional.

SFIDA DIALEKTIKE – Marshimi që çon në fillimin e Inter-Juventus karakterizohet edhe nga daljet mediatike të Massimiliano Allegrit, të cilat kontribuan në ndezjen e mëtejshme të atmosferës.

Trajneri nga Livorno fillimisht përdori metaforën e “policëve dhe hajdutëve” për të përshkruar Juventusin e tij duke i “marrë frymë” Interit në qafë. Më pas kaloi te tenisi dhe krahasimet mes Sinner (në rastin e bardhezinjve) e Djokoviç.

Në fund të ndeshjes Juventus-Empoli, Allegri i tërhoqi “thumbimet”, duke kërkuar falje nëse kishte prekur “ndjeshmërinë e dikujt”. Trajneri bardhezi nënvizoi tiparet ironike të një livornezi si ai, që mund të bëhen të bezdisshme për dikë tjetër. Sepse ndonjëherë edhe dialektika mund të luajë rol të rëndësishëm, aq më tepër në një kontekst të tillë.

SFIDA E BOMBERAVE – Inter-Juventus është edhe sfida mes dy golashënuesve më të mirë në kampionat. Nga njëra anë shënuesi më i mirë i Serie A, Lautaro, i cili me mesataren e golave për ndeshje duket se projektohet drejt fitimit të “Këpucës së Artë” në Itali. Ndjekësi i parë, me 7 gola larg, është Vlahovici, i rizbuluar. Nëse “Toro” vazhdon të shënojë pandërprerë që nga fillimi i sezonit, serbi po e përmirëson rezultatin e tij me një 2024 fantastike, që e ka parë atë të shënojë 6 herë në 4 ndeshjet e fundit në kampionat.

MUNDËSIA E ARRATISJES – Duke mposhtur bardhezinjtë të dielën, Interi do t’i garantonte vetes mundësinë e “vrasjes” sportive të kampionatit. Me fitore në ndeshjen direkte, Lautaro dhe shokët e tij të skuadrës do të distancoheshin në +4 pikë nga Juventusi. Madje mund të shkojnë edhe në +7 pikë në rast rikuperimi të suksesshëm ndaj Atalantës, ndeshje e prapambetur që do të luhet më 28 shkurt.

Fitorja do të ishte mrekulli për Juventusin, i cili gjithashtu mund të ndihet mirë edhe me barazimin, i cili të paktën do t’i lejonte bardhezinjtë të qëndronin të lidhur me rivalin e tyre në funksion të rikuperimit të javës së 21-të.

Ndaj, ka shumë pak gjasa që të jemi dëshmitarë të qëndrimeve të palëkundura të fundit të nëntorit, kur historia e kampionatit ishte ende shumë e shkurtër dhe pakkush mund ta imagjinonte një duel “pikë për pikë” mes dy pretendentëve për titull.