Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se PS është e gatshme të komunikojë me PD dhe LSI, por sipas tij aktualisht ka vetëm një autokrizë të krijuar nga opozita për nevojat e saj të brendshme.
I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu mbrëmjen e së enjtes në emisionin “Opinion”, në Tv Klan, se si do t’i përgjigjej mazhoranca ftesës së Presidentit nëse kreu i shtetit do i ftonte në një tryezë për të zgjidhur ngërçin, Balla tha: “asnjëherë nuk mungon nga ana jonë dëshira, vullneti dhe gatishmëria për të komunikuar me PD dhe LSI. Kemi disa çështje për të cilat është i rëndësishëm bashkëpunimi, jemi gati të ulemi për reformën zgjedhore dhe të jetë gati për zgjedhjet e 30 Qershorit. Zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri do të zhvillohen, por ato do të zhvillohen në 21, 22 ose 23 Qershor të vitit 2021.”
“Ajo që është shumë e rëndësishme të dimë është që nuk bëhet fjalë për djegie. Është një dorëzim individual i mandateve e çdo deputeti. Nuk ka nevojë të marrësh as miratimin e Kryesisë së Partisë dhe as të Këshillit Kombëtar për këtë çështje. Nëse ata e kanë seriozisht këtë çështje, unë kam dyshime dhe bindje të brendshme se kjo nuk do të ndodhë, do të ketë një dorëheqje kolektive mandatesh, e cila nuk ka vlerë kushtetuese. Ky është një proces që do të zgjasë disa muaj, edhe ata që vijnë janë përfaqësues të opozitës. Dua ë të jeni korrekt edhe ju si media, se e kam dëgjuar shpesh partitë e opozitës, dy parti të opozitës kanë mandate në Kuvend, PD dhe LSI.”
Balla tha se zgjedhjet e vitit 2017 ishin të mira dhe legjitimiteti i institucioneve të dalë nga ato zgjedhje është i plotë. “Këtë e konfirmon raporti përfundimtar i zgjedhjeve në Shtator të vitit 2017. Askush nuk ka vënë në dyshim rezultatin. Arsyeja pse kthehet ky debat janë zgjedhjet e vitit 2019 dhe jo zgjedhjet e vitit 2017. Lulzim Basha ka frikë nga zgjedhjet. Nuk ka një krizë ku fajtorë janë të dy palët. Është një autokrizë e shkaktuar nga nevojat e brendshme të opozitës.”