Që në fillim të pushtimit rus të Ukrainës, Ishullit të Gjarpërinjve iu dha një status pothuajse mitik në këtë luftë. Kjo dalje e pazakontë shkëmbore në Detin e Zi u pushtua nga Rusia, por tashmë është kthyer në një fushë beteje me vlerë strategjike.
Rusia pretendon se Ukraina ka pësuar humbje katastrofike në një përpjekje të dështuar për të rimarrë ishullin ku u përfshinë forcat speciale, avionë luftarakë, helikopterë dhe dronë. Ukraina në krahun tjetër këmbëngul se e ka kufizuar fushatën e saj në sulmin ndaj objekteve në ishull dhe anijeve.
“Beteja nuk ka përfunduar dhe Rusia po përpiqet vazhdimisht të përforcojë garnizonin e saj në ishull”, – thotë inteligjenca e Ministrisë së Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar.
Ishulli i gjarprit ose ishulli Zmiinyi është i madh vetëm 1 kilometër katror dhe nuk ka më gjarpërinj, por nuk ka asnjë dyshim për rëndësinë e tij për kontrollin e perëndimit të Detit të Zi.
“Nëse trupat ruse arrijnë të pushtojnë Ishullin e Gjarpërinjve dhe të vendosin sistemet e tyre të mbrojtjes ajrore me rreze të gjatë, ata do të kontrollojnë detin, tokën dhe ajrin në pjesën veriperëndimore të Detit të Zi dhe në jug të Ukrainës”, – tha eksperti i ushtrisë ukrainase Oleh Zhdanov për BBC.
Kjo është arsyeja pse anija kryesore e Rusisë, “Moskva” shkoi atje brenda pak orësh nga fillimi i luftës, duke u thënë ushtarëve ukrainas në ishull që të dorëzoheshin.
“Unë ju sugjeroj të lini armët dhe të dorëzoheni për të shmangur gjakderdhjen dhe viktimat e panevojshme. Përndryshe, do të bombardoheni”, – u tha atyre një oficer rus.
“Anija luftarake ruse, ik pirdhu!” – ishte përgjigja tashmë legjendare. Ishulli u pushtua, por disa javë më vonë anija “Moskva” u fundos.
Humbja e anijes “Moskva” do të thotë se anijet e furnizimit të Rusisë në ishull tani kanë një mbrojtje minimale, thotë inteligjenca britanike, megjithëse, nëse do të konsolidojë pozicionin e saj, atëherë mund të dominojë një pjesë të madhe të Detit të Zi.
Një prani e përforcuar ruse në këtë ishull mund të jetë katastrofike për Ukrainën, strategjikisht dhe ekonomikisht.
Ukrainës tashmë i është dashur të mbyllë portin e saj në Odesa, duke pezulluar eksportet jetike të grurit, por Zhdanov ka frikë se ishulli mund të përdoret gjithashtu si një vijë e dytë e frontit.
“Nëse rusët arrijnë të instalojnë sisteme të mbrojtjes ajrore me rreze të gjatë, atëherë ata do të jenë në gjendje të mbrojnë skuadriljen e tyre, e cila mund të arrijë vijën bregdetare të Ukrainës” – tha ai.
Kjo do t’u jepte gjithashtu trupave ruse mundësinë për të depërtuar në Transnistria, territorin e shkëputur të Moldavisë nën kontrollin rus që shtrihet ngjitur me Ukrainën dhe jo shumë larg nga Odesa.
Ishulli i Gjarpërinjve është vetëm 45 km (28 milje) larg nga bregu i Rumanisë, e cila është pjesë e aleancës së NATO-s. Analisti detar i Mbretërisë së Bashkuar Jonathan Bentham beson se një sistem raketor ajror rus S-400 në ishull do të ishte një “ndryshues i madh i lojës”. Nëse Rusia do të ishte në gjendje të vendoste një sistem raketor, jo vetëm që Odesa do të rrezikohej, por edhe krahu jugor i NATO-s do të rrezikohej.
“Kjo është shumë e rëndësishme për qeverinë dhe popullin rumun, por edhe për të gjithë aleancën. Rusia do të kishte kapacitetin për të shkatërruar qytete dhe aftësi ushtarake në lindje të territorit tonë” – tha ai.
NATO përforcoi kufijtë e Rumanisë që nga fillimi i luftës, duke dërguar forca belge dhe franceze.
Por ka edhe rreziqe të mëdha ekonomike për Rumaninë. Ishulli i gjarpërinjve shtrihet afër grykës së lumit Danub, i cili përcakton kufirin e Rumanisë me Ukrainën. Porti i Konstancës i Rumanisë në Detin e Zi është jo shumë larg jugut dhe ka marrë anije me kontejnerë që nuk janë më në gjendje të lundrojnë për në Odesa.
Analisti ushtarako-politik rus Alexander Mikhailov tha se trupat në ishullin e gjarpërinjve mund të jenë në gjendje të kontrollojnë trafikun në veriperëndim të Detit të Zi dhe në deltën e Danubit – portë për në Evropën Juglindore.
Historikisht, ishulli i gjarpërinjve ka qenë territor rumun derisa në vitin 1948 iu dorëzua Bashkimit Sovjetik, i cili e përdori atë si bazë radarësh. Kur Rumania ra nën ndikimin sovjetik deri në vitin 1989, Bukureshti e pranoi marrëveshjen.
Ukraina mori kontrollin e ishullit me rënien e komunizmit dhe përfundimisht në vitin 2009 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë përcaktoi kufijtë territorialë të ishullit, duke i dhënë Rumanisë pothuajse 80% të shelfit kontinental të Detit të Zi pranë ishullit dhe Ukrainës pjesën tjetër.
Ishulli i gjarpërinjve nuk është vetëm për përdorim strategjik, sepse kjo pjesë e Detit të Zi është e pasur me burime hidrokarbure – kështu që vendimi i Hagës nënkupton që të dy vendet kanë rezerva të naftës dhe gazit. Mund të duket se është një grumbull i vogël shkëmbi me pak vlerë të dukshme, por fati i tij është një element kryesor i luftës së Rusisë.