Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Neureda Llagami ka prezantuar raportin e KLGJ-së për vitin 2022 në foltoren e Kuvendit.
Pas prezantimit të raportit, Gazment Bardhi, ka pyetur Llagamin se pse mbahen fshehur zgjedhja dhe verifikimi i kandidatëve për gjyqtarë.
Nga ana tjetër, Llagami i është përgjigjur Bardhit duke i thënë që e vetmja që mbahet e fshehur është procedura e verifikimit të figurës së kandidatit.
Gazment Bardhi: Nuk e kuptoj arsyen pse ju i fshiheni publikut, së pari procesverbalet e mbledhjes kur bëhet promovimi i gjyqtarëve, veçanërisht në Gjykatën e Lartë. Ne kemi nevojë të dimë se pse Këshilli i Lartë Gjyqësor zgjedh X kandidat në raport me një kandidat tjetër dhe së dyti se si ju bëni promovimin në gjykatat përkatëse. Kjo është një praktikë e paligjshme dhe e dëmshme dhe KLGJ duhet ta rishikojë këtë praktikë.
Naureda Llagami: Këshilli ka dy procedura, procedurën e parë që ka të bëjë me verifikimin. Ajo që ne mbajmë të mbyllur dhe që e kemi mbajtur të mbyllur është fakti i verifikimit të figurës së kandidatit. Pjesa që ka të bëjë me vlerësimin apo me renditjen nuk mbahet asgjë e mbyllur. Tek pjesa e verifikimit të kandidatit, ne kemi folur me të gjithë agjencisë ligjzbatuese dhe kemi marrë praktikat më të mira se si duhet të veprojmë dhe ato na kanë trajnuar.