Eksplorimi i origjinës së jetës në Tokë është një nga kërkimet më të mëdha të shkencës dhe është një udhëtim eksperimental që të çon në dy “shtigje”.
“Si kemi ardhur në Tokë?”, është pyetja që na intrigon të gjithëve. Opsioni i parë analitik i studiuesve merret me Tokën prebiotike, pra atë të 4.28 miliardë deri në 3.77 miliardë viteve më parë dhe përpiqet të kuptojë se si u formua jeta nga lëndët e para. Ndërsa opsioni numër 2 ka të bëjë me studimin e kafshëve të sotme në përpjekje për të gjurmuar biologjinë e tyre evolucionare.
Megjithëse të dyja “shtigjet” përmbajnë shumë hipoteza, asnjëra prej tyre nuk ka një fakt që shpjegon fiks origjinën e jetës në Tokë.
Por, çfarë ndodh nëse këto dy analiza “shkrihen” së bashku? Studimi i ri nga shkencëtarët në Kolegjin Oberlin dhe Laboratori i Propulsionit Jet i NASA-s (JPL), i botuar këtë javë në “Procedurat e Akademisë Kombëtare të Shkencave”, ka synim pikërisht këtë gjë.
“Karakteristikat më themelore të biologjisë, që organizmat përbëhen nga qeliza, që ata kalojnë informacionin gjenetik përmes ADN-së, që përdorin enzimat proteinike për të drejtuar metabolizmin e tyre, të gjitha u shfaqën përmes proceseve specifike në historinë shumë të hershme evolucionare,” deklaron profesori i njohur i Biologjisë Aaron Goldman. “Të kuptuarit sesi fillimisht morën formë këto sisteme biologjike, do të na japë një pasqyrë më të madhe se si funksionon jeta”, shton ai.
Goldman beson fort se e gjithë jeta është një sistem metabolik që prodhon forma të ndryshme të energjisë. Njerëzit, macet, qentë dhe të gjitha kafshët e tjera përmbajnë mitokondri që prodhojnë energji nga metabolizmi ynë. Bimët, nga ana tjetër, janë autotrofike për shkak të superfuqive të tyre që thithin rrezet e diellit, por ato ende përdorin një formë të ngjashme të energjisë.
Goldman dhe pjesa tjetër e ekipit zbuluan se këto zinxhirë të transportit të elektroneve mund të jenë ndihmuar në të kaluarën e largët nga mineralet dhe uji i oqeaneve.
Kjo në thelb do të thotë se proceset e transportit të energjisë që e bëjnë jetën të mundur ka të ngjarë të jenë zanafilla e gjithë organizmave të gjallë.
Megjithëse eksplorimi i këtyre proceseve të lashta të energjisë është tepër i vështirë, shkencëtarët e NASA po përpiqen të mbledhin sa më shumë të dhëna.