Një aksident i rëndë ndodhi mëngjesin e kësaj të marte në aksin Përrenjas-Qafë Thanë ku 6 persona kanë mbetur të plagosur, mes tyre një vajzë 23-vjeçare në gjendje kome, në rrezik për jetën.
Familja me gjashtë anëtarë kishte ndaluar në ambientet e një lokali, rreth 30 m larg korsisë së rrugës dhe kanë qenë jashtë mjetit të tyre kur një automjet ka humbur kontrollin dhe ka “fluturuar” mbi ta.
Për pasojë 23-vjecarja që e ka zënë mjeti poshtë është në gjendje kome, vajza tjetër 10 vjeçe ka thyer këmbën e po ashtu fraktura ka pësuar dhe vajza 6-vjeçare, të trija motra.
Po ashtu, babai i tyre Artan Pishkashi emigrant, i ishte kthyer nga në Shqipëri për një arsye familjare, është plagosur këtë aksident të rëndë. Dëmtime ka marrë edhe gjyshja.
Mjetin që humbi kontrollin po e drejtonte 44-vjeçar nga Peshkopia Jetmir Daci. Ai po ndiqet në gjendje të lirë pas vendimit të prokurorit, thotë policia e Elbasanit, ndërsa sipas dëshmitarëve mjeti ka humbur kontrollin pas një parakalimi të gabuar dhe ka fluturuar më pas jashtë rruge.
Burimet i thanë Top Channel se drejtuesi që shkaktoi aksidentin e rëndë nga testet e kryera nga policia rezulton i dehur. Në testin e bërë rezultoi se 44-vjeçari ka qenë i dehur në timon në nivelin 0.40 mg/l në momentin që ka përplasur familjarët.
E moshuara e cila ishte mes 6 familjarëve që u përplasën nga, shoferi i dehur në rrugën Prrenjas-Qafë Thanë, ka dalë nga spitali i Traumës ku po merrte trajtimin mjekësor pas aksidentit të rëndë.
Ajo tregoi për Top Channel sesi ndodhi ngjarja e rëndë kur makina tip “Golf” e drejtuar nga Jetmir Daci përplasi atë së bashku me familjarët e saj.
“Këmbën e kam në allçi, brinjët dhe duart më janë dëmtuar. Kishte një ditëlindje çupa e vogël. Shkuam atje ne, sa u takuam ndodhi ajo që ndodhi, nuk mbaj mend më gjë prej aty. Erdhi i pirë ai, këta thonë kështu, po ku e pashë unë, se makina më kishte zënë sipër edhe mua edhe vajzën”, u shpreh e moshuara.
Edhe familjari i të aksidentuarve tregoi për Top Channel momentin e tmerrshëm. Ai rrëfen se si një makinë me shpejtësi të lartë mori para katër të afërmit. “Erdhi si kamikaz, u bë katastrofë, të plagosurit njëri mbi tjetrin”, kujton familjari.
“U ula të pija një kafe sa të vinte dhëndri. Më tha do pres gjyshen dhe do ikim te motrat. Sa hipi në makinë, vjen një Golf me shpejtësi, direkt makina u spostua dhe i mori para të katërt këta. Katastrofë çfarë të shikoje, njëri përmbi tjetrin. Si ato që bëjnë kamikazët. Nuk ka mundësi të ketë qenë defekt i makinës, ka qenë i pirë. Ka pasur aq shpejtësi, mbi 200 km në orë. U mblodhën shumë njerëz, erdhi ambulanca. Vajza e madhe është operuar në Tiranë, e vogla ka këmbën në allçi. Turp i Zotit që në Librazhd nuk kishte as një fasho”.
E gjithë familja po merr ndihmën mjekësore në spitalin e Traumës ndërsa gjendja e 23-vjeçares mbetet e rëndë.
Ndërkohë hetimet vazhdojnë, ndërsa shoferi është ende në gjendje të lirë./TCH