Altin Dardha, ishte një prej personazheve më të frikshëm të krimit në Berat në vitet 1993-1998, që u vu në qendër të konfliktit që shkaktoi mbi 300 vrasje në këtë qark.
Gazetari Ferdinand Dervishi ka shkruar një libër mbi aktivitetin e tij kriminal, duke e nisur historinë që nga koha kur Altin Dardha ka qenë një adoleshent, si nisi lidhja e tij me krimin dhe deri në ekzekutimin e tij në Janinë në vitin 1998.
Në një intervistë në emisionin “Opinion” me gazetarin dhe ish-kolegun e tij Blendi Fevziu, Dervishi solli një pjesë të rrëfimit që ka bërë në librin e tij “Altin Dardha” duke treguar dhe zanafillën që çoi në sagën e vrasjeve të Beratit.
Dervishi tregon për Fevziun një detaj nga libri i tij dhe historia e vërtetë e Dardhës, se si ky i fundit ndihmoi shokun e tij të ngushtë që të plagoste një person. Kjo pasi shoku dyshonte se personi në fjalë (i cili ishte i martuar dhe banonte në lagjen tjetër), kishte lidhje me motrën e tij.
Ata nuk kishin qëllim ta vrisnin, mirëpo diçka shkon keq dhe personi vdes, por jo pa i lënë më parë të vëllait amanet të merrte hak. Dhe Burhan Tomorri, vëllai i të ndjerit këtë bën. Ai i futet rrugës së krimit pas kësaj ndodhie për të marrë hakun e vëllait. Këtu nis gjithë saga e hakmarrjeve në Berat, të lidhura me Altin Dardhën dhe Burhan Tomorrin.
INTERVISTA
Fevziu: Librin e ke shkruar në një kohë të shkurtër, ndërkohë duket se ti ke punuar për këtë libër më shumë se 24 vjet apo jo?
Dervishi: Janë mbledhur dokumentet në 24 vjet vjet dhe libri është shkruar në dy-tre vitet e fundit.
Fevziu: Pra ke punuar dy-tre vjet vetëm për ta shkruajtur ndërkohë që dokumentet gjatë gjithë kësaj kohe?! Bëhet fjalë për bandën kriminale të Altin Dardhës, bandën e Beratit pra, dhe aktivitetin e tij criminal që prej vitit 1993 deri në vitin 1998 kur ai u ekzekutua në Janinë apo jo?
Dervishi: Pak a shumë është historia e viteve 1991-1998 kur ai u ekzekutua, sepse unë e kam marrë historinë që në shkollë të mesme kur ai filloi të lidhet me këto keqbërësit e vegjël siç i quaj unë në libër, kur formoheshin këto bandat e vogla që nuk shkonin më shumë se grabitjet.
Fevziu: Këto ishin vitet e fundit të komunizmit dhe vitet e para të demokracisë kur filluan të shfaqen apo jo?
Dervishi: Po
Fevziu: Në fillim ishin banditë, që luanin më shumë për të treguar se kush ishte më i fortë se tjetri.
Dervishi: Më i forti në grupin e vet të shokëve…
Fevziu: Nuk ishin njerëz që synonin aktivitete ekonomike? Thjesht kush ishte më i forti i lagjes?
Dervishi: Absolutisht jo. Ndryshimi që ndodhi ishte se në të njëjtën periudhë, ajo periudha që ndryshoi sistemin dhe u hap Europa, pra shkonin në Europë dhe binin në kontakt me lekun, filluan të ktheheshin me pasuri, me xhepin plot, me makina të bukura, por jo Altin Dardha. Ishin disa më të rritur. Të cilët u shkëputën dhe i bënë shumë xhelozë Altin Dardhën dhe pjesën tjetër.
Fevziu: Ju keni jetuar në Berat gjatë kësaj periudhe apo jo?
Dervishi: Unë kam jetuar në Urën Vajgurore, në Berat në këtë periudhë.
Fevziu: Ishte vërtet kaq e frikshme sa e përshkruani në libër?
Dervishi: Në vitin 1997 po. Dhe ’96-ta në disa periudha ishte shumë e vështirë.
Fevziu: Ndërkohë që ju filloni që prej momenteve të para të Altin Dardhës dhe thoni se ai u kthye, pra gjithë zinxhiri i hakmarrjeve që çoi në dhjetëra e dhjetëra viktima, nisi nga një ngjarje në dukje banale. Një tentativë për t’i ngulur thikën, pra për të paralajmëruar dikë dhe nga kjo ngulje thike shkoi në një seri viktimash, ku u përfshinë disa nga emrat më të famshëm të kriminalitetit në Shqipëri apo jo? Si ishte kjo ngjarje e parë?
Dervishi: Ishte një ngjarje banale, shoku i ngushtë i Altinit kishte krijuar grupin e vet të adoleshentëve të fortë. Altini ishte 19-vjeç. Shoku i vet kishte dyshime se një burrë i martuar në lagjen tjetër shkonte me motrën e tij. Kishin dyshime, asnjëherë nuk u vërtetua dhe shprehte peshën e një halli. Altini del direkt dhe i thotë: “Të ndihmoj unë çke ti…” Shqiptari nuk godet femrën, godet mashkullin dhe bien dakord për të goditur mashkullin, por jo për ta vrarë, për ta plagosur. Dhe një thikë kalon në mëlçi dhe në atë kohë dhe spitalet nuk ishin ato që janë sot dhe ai humb jetën. Por ai ka qenë koshient. Ai fliste me shokët, me njerëzit, me policinë, njerëzit që i erdhën në spital. Por bëri një gabim. Gabimi ishte se nuk ia tha emrat policisë, por ia la amanet vëllait.
Dhe amaneti i kaluar tek vëllai… Dhe vëllai i vet Burhan Tomorri që i ndenji tek koka, nuk i tha askujt se çfarë më la amanet mua vëllai dhe filloi për t’i eliminuar vetë.
Fevziu: Pra vetë vëllai i personit që humbi jetën u kthye në një kriminel, padashje?
Dervishi: U kthye në një kriminel për shkak të vdekjes së vëllait të vet.
Fevziu: Por ka qenë i rrezikshëm dhe ai apo jo?
Dervishi: Nëse Altin Dardha dhe gjithë të tjerët banditët shqiptarë, bënin një akt kriminal për të rënë në sy, për të thënë njerëzit “oo ky i forti”, Burhan Tomorri bëri të kundërtën. Ai u quajt më vonë në Berat “Pushka e thatë”, “hija”, pra u bë një person që i bënte vrasjet të gjitha në kokën e vet dhe i mbaronte të gjitha në kokën e vet derisa e realizonte.
Kështu që arriti t’i vriste tre shokë Altinit.
Fevziu: Pra kjo është zanafilla? Altin Dardha pati një aktivitet 5-vjeçar apo jo që kulmon në vitin ’97…
Dervishi: Atëherë ’93-‘95 (dy vjet) dhe ‘97-‘98 (dy vjet të tjera). Katër vjet dhe ato jo të plota.
Fevziu: Dhe kulmin e kriminalitetit të tij e ka arritur në vitin 1997?
Dervishi: Në verën e vitit 1997.
Fevziu: Ky njeri kontrollonte krejtësisht Beratin dhe zonat rreth tij?
Dervishi: Ky njeri ishte ai që policia duhej të merrte leje që nëse bëhej një vrasje do shihte vendngjarjen, nëse do çonte ekspertët në një vendngjarje apo jo. Nëse e bënte vetë vrasjen i thoshte nuk do shkoni, nëse e kishin bërë të tjerët, ndonjëherë u jepte leje. Pra ishte absolutisht njeriu më i fuqishëm në Berat.
Fevziu: A ishte e vërtetë që ky zbriti nga makina grupin e gatshëm të policisë? I çarmatosi, u mori jelekët antiplumb dhe i la të iknin në këmbë?
Dervishi: Po edhe pse kishin një marrëveshje të heshtur me atë që u quajt komisariati i riformuar në kohën që aty mungonte shteti dhe i ndihmuar edhe nga këto që quheshin Komitete të Shërbimit Publik, pra këta reformuan një komisariat, morën njerëz nga rruga, pa shkollë… Edhe pse të gjithë ata që u futën aty kishin marrë “OK”-n e bandës së Beratit dhe Altin Dardhës, ai e kishte shumë të fortë atë instiktin anti-polic. Pra nuk e duronte dot uniformën blu dhe në këtë moment i del përpara makinës së grupit të gatshëm, i zbret në tokë, i degjeneron, i shan, u merr jelekët anti-plumb, armët, thuhet nga disa se e bëri vetëm për t’u marrë jelekët anti-plumb se ato s’i kishin, të tjerat i kishin, por kjo ndodhi dhe këtë e mori vesh i gjithë Berati.
Fevziu: Ky person ka bërë sipas jush 61 vrasje apo jo?
Dervishi: Ky ka bërë 61, vetë dhe në bashkëpunim. Shumicën e vrasjeve i ka bërë për hakmarrje, pra në atë linjën që nisi në ’93-shin. Pra ky kishte një kundërshtar që i kishte vrarë tre shokët dhe në ’97-ën kjo mori pamjen e një lufte midis dy grupeve.
Pra shumica ishin nga krahu i tij kundërshtar, që i binin dhe kushërinj të 15-të. Mjaft që Burhan Tomorri ta merrte vesh që unë e kam bërë vrasjen të të bëj dëm ty. E njihte apo s’e njihte ai kushëririn e 15-të. Vrasjet e tjera i ka bërë për miqësi dhe shoqëri. Siç ishte kjo me thika.
Fevziu: Pra vrasje që i bënte me dorën e tij, jo që porosiste njerëz për të kryer vrasje.
Dervishi: Jo, i bënte vetë.
Fevziu: Pra në 61 vrasje ky ka marrë pjesë vetë dhe i ka qëlluar vetë.
Dervishi: Vetë, por ky ka listuar në këto vrasje. Vrasësit i mbajnë mend ato çfarë kanë bërë. Një, dy, tre… dhjetë. Sikur 500 të kishte bërë, sepse vendosen mbi-njëra tjetrën. Dhe ky u kishte thënë miqve të ngushtë, përpara se të ikte nga Berati i plagosur në 24 korrik të vitit 1997, që “unë kam vrarë 56 njerëz”. Vetëm tek e tek dhe në bashkëpunim.
Ky është kthyer në rangun e 5-6 muajve dhe vrau dhe pesë të tjerë. Që vete 61. Por gjatë 6-7 muajve që ka qenë në Greqi rrëfen dhe një vrasje tjetër të tij. Të një rusi. Që rrëfehet në mënyra të ndryshme. Disa thonë se ishte sherr për një femër dhe ky u fut në lokalin Menidhi të Athinës, ku ka shumë rusë dhe ai ka qenë në lokalin e vet, me miqtë e vet, mes të fortëve aty dhe disa zëra thonë që ka qenë i kërkuar në disa shtete të Europës, shumë i famshëm. Dhe u fut qetë-qetë e doli po qetë-qetë, duke i skandalizuar të gjithë.
Ndërkohë ka të tjerë versione që ka vrarë tre vetë, por unë s’e besoj se ky lajm do kapërcente Greqinë, do vinte këtu.
Fevziu: Ndërkohë është e vërtetë që ka qëlluar njerëz thjesht për nishan?
Dervishi: Janë histori që lëvizin në Berat. janë disa histori. Unë i kam pasur shumë kujdes, por një e kam futur aty. Si të thuash për t’i vënë një emër kësaj historie, që kanë vënë në nishan një plak që kalonte rrugën dhe e kanë qëlluar me pistoletë. Por ke parasysh, pistoleta është shumë e vështirë të qëllosh, në largësi është shumë e vështirë, dhe një shënjestër e lëvizshme është përsëri shumë e vështirë për t’u kapur. Nuk e kanë kapur plakun, kjo është historia, pork a shumë histori të tjera që i tregojnë. Përshembull, ka qëlluar një shokun e vet që vinte me motorçikletë, ti bie këtij se po provonte një snajper. Një i panjohur që po afrohej me motorçikletë. Në momentin e fundit dikush i thotë, lëre se është filani. Mirë thotë se e ndreq unë. Dhe i çon një plumb afër dhe ai rrokulliset. Pra për show, për humor.
Fevziu: Fillon të dalë nga loja në vitin 1998. Kishte lidhje politike Altin Dardha?
Dervishi: Nuk kishte Altin Dardha lidhje politike. Ishte shumë larg Altini.
Fevziu: U përdor nga politika?
Dervishi: Nuk u përdor.
Fevziu: Ndërkohë në vitin 1998 ai u ekzekutua pothuajse kur kishte mbetur i vetëm apo jo? Kur e humbi pjesën kryesore të bandës së tij…
Dervishi: Në vitin 1998 ai është ekzekutuar tri ditë pasi vrau Burhan Tomorri qëllimin e jetës së vet. Kundërshtarin e tij kryesor. Vrau atë dhe e morën njerëz të tjerë më të fuqishëm se ai, me lidhje në Tiranë. E marrin dhe e çojnë në Janinë, siç bëjnë gjithmonë. Por në Janinë kësaj radhë dërguan edhe njerëz me lidhje politike. Njerëz me lidhje politike, por jo se këtu kishte lidhje politika në këtë histori. Por njerëz të fuqishëm., të cilët e nxorën në pritë Altin Dardhën dhe i dërguan dy vrasës nga Athina.
Fevziu: Vrasësit kishin histori personale me të?
Dervishi: Njëri kishte hesape personale deri diku, tjetri s’kishte ndonjë gjë që njihet me të.
Fevziu: Dhe ku e ekzekutuan?
Dervishi: E ekzekutuan në lokalet që janë përballë ishullit të Ali Pashë Tepelenës në Janinë.
Fevziu: Ndërkohë vrasësit e dinin që ai do të mbërrinte aty?
Dervishi: Ishin të lajmëruar se do vijë edhe me x taksi, se ajo taksia qarkullonte gjithmonë. Një gjirokastrit e çonte gjithmonë. Por atë ditë ishin kujdesur mos t’i linin pistoletë në makinë.
Pra ishte i paarmatosur Altini. Ata u lëshuan të dy ta qëllojnë. Njëri i mbaron krejt fishekët. Kurse tjetri kishte akoma dhe vete në derën e lokalit për t’u futur në brendësi. Por aty vonohet, dhe e shpjeguar më mbrapa nga ata që e qëlluan ai e shtynte derën. Dera pra duhej tërhequr. Pra është e ngjashme me Gabriel Garcia Marquez…
Fevziu: Dhe në atë moment e vranë apo jo?
Dervishi: Dhe në atë moment e vranë.
Fevziu: Është varrosur në Athinë keni thënë ju?
Dervishi: Është varrosur në Athinë ku kishte nënën dhe motrën. Nuk kishte ndonjë arsye të rrinte në Janinë se s’kishte ndonjë lidhje. Dhe nuk është sjellë në Shqipëri sepse në atë kohë ka patur edhe sinjale që hapnin varret dhe dëmtonin njerëz të urryer, etj.
Fevziu: Ka qenë një nga kriminelët më famëkeq të Shqipërisë, por ju thoni që pjesë të bandës së tij filluan të shndërroheshin në biznesmenë në Berat. Njëri prej tyre u bë president i klubit të Tomorrit dhe ai u vra pas ndeshjes. A ka pjesëtarë të tjerë të këtyre bandave kriminale që janë kthyer në biznesmenë dhe janë akoma aktivë në shoqërinë shqiptare?
Dervishi: Shiko, në Beratin e ’97-ës ka patur dy kategori të fortësh. Ata që ishin edhe pak më të rritur se Altini dhe pak më të heshtur se Altini në ato aktivitete, të cilët e dinin shumë mirë se shteti do të forcohej dhe gjatë ’97-ës ka patur thyerje të bandës. Ishin Altini me shokë që morën këtë rolin që “do vrasim punë e madhe” dhe ishin dhe këta të tjerët që u tërhoqën. Që ishin të zgjuar. Dhe këta që janë të zgjuar edhe sot e kësaj dite… s’i ka prekur njeri.
***
Në studio tregohen disa foto të Altin Dardhës.
Dervishi: Në ’95-ën, jo në një atentat. Në një incident kur kishin dalë për të grabitur dhe fshatari që do grabitej, qëllon me armë gjahu dhe humbet syrin. Në ’95-ën. Kjo është foto në korrikun e 1997-ës kur ai vriste. Në kohën e kulmit të aktivitetit të tij kriminal.
Këtë foto ma ka nisur një person i panjohur, në messenger. Pasi ka dëgjuar bisedën që kemi bërë në studio para 3-4 muajsh. Ai ma ka nisur dhe s’u duk më se kush ishte. I thashë të mi sillte pak më të mira.
Në ekran shfaqet një foto tjetër…
Dervishi: Edhe kjo foto më ka ardhur nga i njëjti person. Por kjo është foto më e hershme e tij. Duhet të jetë një foto e vitit ’92. Fotoja më e hershme e njohur, që tregon një adoleshent bukurosh. Kjo është foto e vitit 1993, para se të bënte vrasjen e Jonuz Tomorrit. Dy javë.
Fevziu: Vrasje që filloi sherrin që shkaktoi sa viktima në total në Berat?
Dervishi: Berati në total ka patur rreth 300 viktima, por Berati si qytet ka patur 100.
Fevziu: Që ishin kryesisht peng i kësaj vrasje…
Dervishi: Që ishin dora e Altinit. Të dyja fotografitë janë të vitit 1993, dy javë përpara te të bënte vrasjen e Jonuz Tomorrit dhe janë të kartelës së policisë.
Altin Dardha është 160 cm i gjatë, me flokë kafe. Kjo është foto e revistës Klan që mbase të kujtohet, ke këmbëngulur që të publikohet shkrimi im i dytë tek revista Klan. Sepse unë kisha gjetur këtë foto. Dhe në atë kohë meqë s’kishin shumë për të bërë, ngritëm aureolën e një njeriu që nuk e kapin plumbat, që është i pavdekshëm etj, etj. Dhe që mbeti gjatë si legjendë.
Fevziu: Që në fakt mori atë që meriton.
Dervishi: Është foto e vitit ’95, duket syri i dëmtuar, menjëherë pasi e ka qëlluar ai fshatari.
…Kjo është foto e fundit, e ’98-ës që u gjet në pasaportën e tij. Pasi vrau ato pesë veta, i hodhi pasaportën dhe xhupin. ME identitet fals, Ilia Pando, me një pasaportë të nxjerrë nga komisariati i Sarandës.
Fevziu: Kjo është fotoja e tij e fundit.
Dervishi: E fundit, s’kanë dalë më foto.
Fevziu: Ndërkohë duket se bandat kanë qenë shumë të fuqishme në ’97-ën. Si u shpërbënë këto banda?
Dervishi: Atëherë… oh kjo është kartela. Në 23.05.1993 e ka bërë vrasjen. Kjo është kartela e plotë e policisë, është shumë interesante. Ka datëlindjen, ka gjithçka. Flokët i ka pasur gështenjë, jo të zeza.
Fevziu: Dhe po të pyesja, bandat si u zhdukën?
Dervishi: Bandat janë goditur nga shteti pas fuqizimit të vet. Ka një histori interesante ku ministri Neritan Ceka thërriste njerëz për t’i dërguar drejtorë policie në Berat, por askush nuk pranonte. I pesti apo i gjashti vete Mit’hat Havari dhe thotë e bëj unë. Dhe e bëri.
Fevziu: Ndërkohë kam një pyetje të fundit: Përse duhet shkruajtur një libër për një kriminel?
Dervishi: Atëherë se kanë plasur debate tani se pse shkruhet libër për një kriminel, nuk është një libër për një kriminel. Ky është një libër, që sjell Shqipërinë e atyre viteve. Ama Shkullaku e ka thënë shumë bukur aty mbrapa, është: “Të mësojmë se sit ë mos kthehemi më në atë lloj feje” .
Fevziu: Është një libër që ia vlen për ta lexuar, për të kuptuar se në çfarë lloj ferri ka jetuar Berati në vitet 1997-1998 dhe është pjesë e kujtesës historike, të momenteve të turbullta të ndryshimit të sistemit në Shqipëri, është dhe historia e një keqbërësi, që si gjithë keqbërësit e botës ka të njëjtin fund. Përfundon me disa plumba në kokë, në një rrugë të një qyteti grek, pasi kishte çuar në varr pjesën më të madhe të shokëve dhe të anëtarëve të bandës së tij.