Edhe pse të gjendur përballë kritikave nga vendet fqinje dhe mbarë Europa, Suedia vazhdon të ndjekë strategjinë e saj kundër përhapjes së COVID-19, por duke shmangur karantinën e popullsisë prej 10.2 milionë banorësh.
Qeveria i ka këshilluar suedezët që të punojnë nga shtëpitë e tyre në rastet kur është e mundur dhe që të shmangin vendet me shumë njerëz si baret apo restorantet dhe kjo përmes thirrjes drejtuar qytetarëve që të “sillen si të rritur” e jo nëpërmjet gjobitjes.
Vendimi i Suedisë për të mos vepruar si vendet e saj fqinje ngjalli polemika të shumta mes vendeve nordike, teksa në mediat e rajonit u përshkrua si “film horror”.
Edhe pse është ende herët për të thënë nëse karantina ka qenë e suksesshme, numri i viktimave në Danimarkë, Norvegji dhe Finlandë ka qëndruar i ulët.
Në Danimarkë janë regjistruar 247 viktima, në Norvegji 113 dhe në Finlandë 48.
Të dhënat e fundit nga Suedia duket se sugjerojnë se numri i viktimave po rritet me shpejtësi.
Kryeministri i Suedisë Stefan Lofven theksoi se nuk po e mohojnë gjendjen e COVID-19, por se qeveria e tij po ndjek këshillat e autoriteteve shëndetësore.
Organizata Botërore e Shëndetësisë tha për Euronews javën e shkuar se “shtetet vendosin vetë për masat, bazuar mbi gjendjen në të cilën ndodhen dhe fazave të ndryshme që ata po përballen”.
Mardin Baban, drejtoi i përgjithshëm i një organizate joqeveritare në Stokholm, tha për Euronews se krahasimi i qasjes së Suedisë me ato të shteteve të tjera është i padrejtë teksa shprehu mbështetjen për masat e marra nga qeveria suedeze.
Megjithatë, Baban shprehu shqetësimin e tij për sa i përket veprimeve të qytetarëve.
“Dje, shumica e bareve dhe restoranteve ishin pothuajse plot dhe kjo është befasuese pasi autoritetet kanë qenë shumë të qartë në mesazhin e tyre drejtuar qytetarëve për shmangien e vendeve të populluara”.
Për sa i përket funksionimit të masave, qeveria suedeze ka thënë hapur se situata mund të përkeqësohet.
“Na është thënë se pritet një rritje në mijëra e numrit të viktimave në javët e ardhshme”.