Kryeprokurorja Arta Marku ka marrë sot të gjithë vëmendjen mediatike pasi firmosi disa ndryshime në radhët e prokurorive në rrethe.
Në një analizë të lëvizjeve të Markut, duhet nënvizuar fakti se disa nga prokurorët e larguar janë në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në krye të “listës zezë” amerikane ishte Rovena Gashi.
Kjo e fundit u largua nga Arta Marku si drejtuesen e Drejtorisë së Marrëdhënieve me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme, një prej hallkave më të rëndësishme në organin e akuzës.
Gashi njihej si një njeri mjaft i afërt me ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla. Por, ajo mbahet mend për një përplasje me ambasadën amerikane.
Në periudhën kur SHBA revokoi vizat për disa prokurorë, Gashi ishte një prej tyre, së bashku me Adriatik Llallën.
Veprimin e SHBA ajo e cilësoi si madje edhe ‘presion’ ndaj strukturës së Dekriminalizimit.
Në listën e zezë të Arta Markut, përfundoi edhe bashkëshorti i Gashit, Dritan Gina.
Kryeprokurori i Elbasanit deklaroi sot se do të refuzonte vendimin për t’u larguar nga detyra, pasi sipas tij ky vendim është i paligjshëm.
Por edhe një tjetër emër i futur në listën të amerikanë u lëviz sot nga kryeprokurorja.
Marku ka larguar Agron Gjanën nga drejtimi i prokurorisë së Durrësit, por ky i fundit nuk ka pranuar.
Emri i këtij prokurori ka qenë në fokus të medias edhe disa vite më parë.
Edhe Gjana ishte pjesë e grupit të prokurorëve që iu është refuzuar viza nga ambasada amerikane.
Në prill të vitit 2016, ambasada amerikane sqaroi se Gjana nuk përmbushte kushtet për të marrë vizë sepse ekzistonte rreziku që prokurori mund të mos kthehej më në Shqipëri.
Me largimin e Adriatik Llallës nga prokuroria, ambasada amerikane nuk e fshehu entuziazmin duke e konsideruar atë si prokurorin që nuk ndëshkonte politikanët, ndërsa i dha mbështetje të fuqishme kryeprokurores Marku./American Eye