Greqia, fëmija më problematik i Europës, po përpiqet të dëshmojë se ka bërë përparim në përpjekjet e rimëkëmbjes, pasi ka arritur të shesë borxhin për herë të parë gjatë këtyre viteve
Shitja e bonove të thesarit,javën e kaluar, u duk sikur dha shpresën se Greqia mund të përgatitej më në fund për ta shkëputur veten nga paketat e shpëtimit ndërkombëtar prej 326 miliardë eurosh, ose rreth 380 miliardë dollarë, nga të cilat është mbështetur që nga viti 2010, shkruan Andrew Sondern për The New York Times.
Shitja është një moment i rëndësishëm në përpjekjet e dhimbshme (me shumë sforco) të Greqisë për t’u rimëkëmbur nga problemet që rrjedhin nga kriza financiare që filloi në Wall Street gati një dekadë më parë dhe që në një pikë kërcënoi edhe thyerjen e bashkimit monetar të Europës.
Ky ishte një moment historik, jo vetëm për Greqinë, por edhe për Eurozonën, për të 19 vendet që përdorin euron.
Dimitri B. Papadimitriou, ministri i Ekonomisë, tha se vendi i tij ishte “duke ndryshuar drejtim”, duke shtuar se “ekziston mundësia që Greqia të normalizohet sërish”.
Në një deklaratë të lëshuar nga zyra e shtypit të Kryeministrit grek, Alexis Tsipras, u tha se ndërmarrja e një mase të tillë është “një hap i rëndësishëm” për Greqinë dhe që do ta ndihmojë atë për të pasur një qasje/akses të qëndrueshëm në tregjet ndërkombëtare. Ndërsa qeveria nuk ka përcaktuar se për çfarë do të përdoren të ardhurat nga shitja, pjesa më e madhe e shitjes pritet të përdoret për të reduktuar borxhin ekzistues.
Irlanda dhe Portugalia, të cilat u prekën nga kriza e euros, dolën nga programet e tyre ndërkombëtare të shpëtimit disa vjet më parë dhe po përjetojnë një ringjallje ekonomike. Edhe rimëkëmbja e Eurozonës gjithashtu po rritet, me një rritje vjetore prej 2.3% në tremujorin e parë, rritje kjo më e lartë se ajo e Shteteve të Bashkuara.
Autoritetet europiane kanë rënë dakord të japin një fond të ri për Greqinë me vlerë prej 8,4 miliardë dollarësh, duke i lejuar vendit të vazhdojë të paguajë faturat e veta gjatë muajve të ardhshëm.
Kjo nuk do të thotë se vendi i ka kapërcyer të gjitha vështirësitë. Ky është vetëm hapi i parë ndër shumë të tjerë që do të vijojnë më pas, që Athina duhet të ndërmarrë për të provuar nëse mund të mbledhë para në tregjet ndërkombëtare për të mbështetur ekonominë dhe operacionet e qeverisë në momentin kur paketa e fundit shpëtuese me vlerë 86 miliardë euro do të skadojë në gusht të 2018-s.
Blerjet mund të dominohen nga investitorët institucionalë, të etur për të kapur bonot e thesarit që sigurojnë një kthim të fuqishëm (edhe pse rreziku që po ndërmarrin është i konsiderueshëm), sidomos kur krahasohet me aktivet më të ulëta në Europë.
Mali i borxhit grek
Mali i borxhit që Greqia vazhdon të mbajë mbi supe ka arritur vlerën prej 314 miliardë eurosh. Ky problem ka shkaktuar përplasje mes dy kreditorëve kryesorë të vendit, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Komisionit Europian, për mënyrën më të mirë për të proceduar në këtë drejtim.
FMN-ja ka deklaruar se Greqia nuk mund të shërohet plotësisht nëse Europa nuk e kufizon borxhin e saj; Përndryshe, vazhdon ajo më tej, Greqia mund të ketë nevojë për më shumë ndihmë në të ardhmen. Gjermania, zbatuesi më i madh i masave shtrënguese në Greqi, e ka refuzuar në mënyrë të përsëritur këtë kërkesë.
Ekonomia greke është ende duke përjetuar lëkundje si pasojë e shtrëngimit të madh të buxhetit, shkurtimeve të pensioneve, rritjes së taksave dhe masave të tjera shtrënguese të kërkuara nga programet e shpëtimit. Për të rindërtuar financat e saj, qeverisë greke do t’i duhet që të vazhdojë me këto masa, edhe pse programi i shpëtimit skadon vitin e ardhshëm.
Vazhdimi i mbajtjes së masave shtrënguese ka qenë një kthesë e jashtëzakonshme nga z. Tsipras, i cili në vitin 2015 premtoi se do të hiqte dorë nga paketat e shpëtimit dhe do të mohonte shtrëngimin e buxhetit. Z. Tsipras dhe partia e tij e majtë Syriza pothuajse e nxorën Greqinë nga Eurozona në muajt e parë, pasi erdhën në pushtet.
Në mes të kaosit të asaj kohe, vendi u kthye përsëri në rrugën drejt falimentimit si dhe u imponuan kontrollet mbi kapitalin. Njerëzit vërshonin në turma drejt bankomateve për të tërhequr rreth 60 euro në ditë, maksimumi i lejuar në atë periudhë. Bizneset nuk mund t’i transferonin pagesat. Dhe rimëkëmbja e dobët ekonomike që filloi në vitin 2014, hera e fundit që Greqia u përshi në tregjet e bonove, përfundoi shumë shpejt.
Kthesa
Që nga ajo kohë, z. Tsipras duket se ka marrë pjesë në rivendosjen e stabilitetit politik dhe ekonomik dhe oferta e bonove përfaqëson një hap tjetër në këtë drejtim të ri. Ai tani duket i prirë për të përmbushur qëllimin e tij, që gjatë kohës që do të jetë në pushtet, vendi të jetë sërish i aftë financiarisht.
Edhe thashethemet që ishin përhapur në Athinë në lidhje me zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme, përpara përfundimit të mandatit të tij në 2019, janë zhdukur.
Kohët e fundit, Greqia mori aprovimin për të përdorur shumën prej 8.5 miliardë eurosh nga paketa e saj e fundit shpëtuese, shumë që do të përdoret për të shlyer një pjesë të borxhit dhe për të shmangur falimentin. Kjo ndodhi vetëm pasi z. Tsipras nxiti ndërmarrjen e një raund të ri masash shtrënguese nëpërmjet Parlamentit, duke përfshirë shkurtime të reja të pensioneve dhe rritje taksash, veprime këto që shkaktuan protesta nëpër rrugë.
Sinjalet pozitive shihen si një lehtësim për kreditorët e Greqisë, të cilët janë të etur për vendin që kërkon të zvogëlojë varësinë e tij nga paketat financuese të taksapaguesve europianë. Të paktën, qeveria greke po përpiqet që të mos krijojë shqetësime të reja për Eurozonën përpara zgjedhjeve të rëndësishme në Gjermani në nëntor, ku Angela Merkel po kërkon të fitojë një mandat të katërt si kancelare.
Një situatë e tillë më e qetë ka tërhequr vëmendjen e investitorëve, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara, ku kompanitë dhe firmat financiare duket se po e intensifikojnë kërkimin e tyre për marrëveshjet pasi ekonomia greke është duke shfaqur shenja të stabilizimit.
Z. Papadimitriou, ministri i Ekonomisë, tha se gjatë një udhëtimi të tij në Nju Jork dhe në Uashington, më shumë se 400 investitorë amerikanë i kishin shprehur atij interesin për të zhvilluar biznese në Greqi në sektorë të tillë si bankat, portet detare, industria farmaceutike, ajo e duhanit apo qoftë edhe ajo e Dhe turizmit. Gjithashtu ai shtoi se të shumtë ishin ata që e kishin pyetur se kur Greqia do të kthehej sërish në treg.
Megjithatë, vendi ende është duke u përballur me probleme të mëdha ekonomike. Suksesi në tregjet financiare do të hapte edhe një debat në lidhje me faktin nëse kjo rimëkëmbje ka qenë ajo e duhura apo jo.Edhe pse ekonomia duket se po stabilizohet, duke shënuar një rritje me 0.4% në baza vjetore në tremujorin e pare, rritja duhet të jetë edhe më e lartë, në mënyrë të tillë që të kompensojë një tkurrje prej afërsisht 25% që nga momenti kur shpërtheu kriza.
Papunësia ka rënë nga 27% në rreth 23% duke qenë se turizmi, një prej shtyllave më të rëndësishme të ekonomisë greke është duke e rimarrë veten. Investitorët e mëdhenj duke përfshirë këtu Coscon, janë duke punësuar, konglomeratin kinez të transportit shtetëror që zotëron Pireun, portin më të madh të Greqisë.
Sidoqoftë, shumë nga vendet e punës që krijohen në Greqi janë me kontrata të pasigurta afatshkurtra. Dhe vendet vakante të punës janë realisht të pakta, duke bërë që shumë veta të heqin dorë nga kërkimi i tyre. Qindra mijë të rinj janë larguar nga vendi dhe numri i lindjeve ka rënë. Greqia është vendi që ka normën më të lartë të varfërisë në Bashkimin Europian, pas Bullgarisë dhe Rumanisë.
Për grekët e lodhur nga vitet e gjata të sprovave dhe vështirësive, përpjekjet e shumta të qeverisë për të tërhequr sa investitorë janë pothuajse të parëndësishme.
Stavroula Vardaki, një pensioniste 68-vjeçare, dukej e hutuar kur u pyet në lidhje me përpjekjet e qeverisë përshitjen e ardhshme të borxhit të qeverisë. “Kujt i intereson nëse ata i shesin apo jo obligacionet, për ne qytetarët një fakt i tillë nuk ka kurrfarë rëndësie”, tha ajo më tej. Deri më sot, pensioni im është shkurtuar gjashtë herë. Unë mezi po ia dal për të kursyer diçka për nipërit dhe mbesat e mia.
“Si na futën në këtë rrugë pa krye?”, – përfundoi ajo.