Nga Edmond Ismailati
Është patjetër një sukses që lumi Vjosë u morë në mbrojtje nga UNESCO dhe u shpall “Park kombëtar”, por nëse nuk mbrohet i plotë, atëherë kjo ngelet vetëm një shpallje zyrtare dhe mediatike!
Nuk e kam fjalën për ndalimin rreptësisht të gjuetisë së paligjshme, të ndërtesave pa leje buzë Vjosës, betonizimeve, hedhja masive e mbeturinave organike, të ngurta, industriale, marrjen e zhavorrit pa kriter nga shtrati që dëmton basenin e lumit, pasi do të jetë gjithmonë nën mbrojtjen e një lufte të vazhdueshme ligjore, si nga shoqëria civile dhe nga organet kompetente, por shqetësimi vjen nga ndotja që i bëhet prej derdhjeve të ujërave të zeza, përgjatë gjithë rrjedhjes së saj!
Kjo ndotje u bë më e madhe, me ndryshimin e sistemeve, pasi u rrit përdorimi kimikateve të ndryshme, si për larjen e trupit, rrobave, automjeteve dhe shërbimeve të ndryshme publike, të cilat derdhen në Vjosë, së bashku me ujërat e zeza, po ndikojnë tragjikisht, jo vetëm në shkatërrimin e faunës ujore të Vjosës, florës përgjatë luginës së saj, por edhe në shëndetin e banorëve që jetojnë përgjatë rrjedhjes së saj. Këto ndotje paraqisin një tjetër kërcënim serioz për shëndetin e banorëve dhe plazhistëve që e frekuentojnë Vjosën. E kam fjalë për banorët buzë Vjosës, siç janë ata të qytetit të Tepelenës dhe Memaliajt, të cilët janë tepër të shqetësuar për mos trajtimin e këtyre ujërave të zeza dhe mënyrën sesi ato derdhen në Vjosë.
Nëse pyet banorët e qytetit të Tepelenës, të gjithë do të shprehen se derdhja e ujërave të zeza nën kalanë e këtij qyteti, bëhet e pa finalizuar në lumë, saqë e kanë pagëzuar “Ujëvara e ujërave të zeza.”. Kjo derdhje shpërndahet gjithandej, nga forca dhe shpejtësia e erës që krijohet nga bashkimi i dy rrymave: atë që vjen nga gryka e Vjosës me atë të grykës së Drinos. Në pjesën më të madhe të ditës, sidomos në ato të verës, aroma e keqe e këtyre mbetjeve, mbërrijnë edhe në qendër të qytetit, që ndodhet jo shumë larg kësaj ujëvare. Padyshim që në kushte të tilla, gjasat për lindjen dhe përhapjen e epidemive, janë shumë të mëdha.
Një tjetër shqetësim serioz, është se këto derdhje kanë krijuar kufirin, si ajo e një zone të ndalur edhe për plazhistët, pasi për nga vetë kushtet që lartpërmenda, frekuentimi bëhet i pamundur. Këtë dukuri e kanë ndeshur edhe shumë turistë të huaj të vendosur në bujtinat e qytetit të Memaliajt, të cilët janë hedhur me kajake pikërisht në zonën ku është aktive kjo ujëvarë. Të jem i sinqertë, jam në dijeni edhe për disa raste, ku tek disa plazhistë janë shfaqur simptoma të sëmundjes së lëkurës nga më të lehtat e deri tek ato të theksuarat, të cilat mund t’i çojnë edhe drejt kancereve të ndryshme.
Vjosa është shumë e pasur për nga llojet dhe shumëllojshmëria e habitateve, të cilat janë klasifikuar si më të rrezikuarat nga Bashkimi Europiane. Këtë e mësojmë sipas një studimi që ka bërë Dr. Andrej Sonvic, me titull “Studimi për mbrojtjen e Luginës së Lumit Vjosa në bazë të standardeve të IUCN-së për zonat e mbrojtura.” Këtë studim e ka publikuar tek faqja zyrtare e IUCN-së, ku mësojmë se sipas kërkimeve të tij, ai e ndanë luginën e Vjosës në tre tarraca, të cilat janë klasifikuar sipas lartësisë së vendndodhjeve të këtyre fushave në bregun e lumit. Nga studimi i tij prej më shumë se 40 faqe po sjellë vetëm një paragraf që pasqyron informacione që i përkasin tarracës së mesme, që vijon nëpër Përmet, Këlcyrë, Dragot, Tepelenë, Memaliaj dhe vjen duke u zbutur në hyrje të rrethit të Fierit, ku fillon zona me tarraca të ulta . Ai shkruan: “Në tarracën e mesme të Lumit Vjosa gjenden të paktën 8 lloje habitatesh me rëndësi të madhe për mbrojtje në bazë të klasifikimit të BE-së. Në këtë zonë gjenden jo më pak se 1,175 lloje të të gjitha grupeve taksonomike, ku përfshihen 13 lloje kafshësh të kërcënuara në shkallë globale dhe 2 lloje bimësh vaskulare. Po ashtu, gjenden të paktën 148 lloje të interesit europian të renditura në Konventën e Bernës, 41 lloje shpendësh dhe 78 lloje kafshësh dhe bimësh të renditura në Listën e Shpendëve të BE-së dhe Direktivat për Habitatet. Në Listat e Kuqe kombëtare të Shqipërisë janë përfshirë të paktën 50 lloje kafshësh dhe 24 bimë vaskulare. I gjithë korridori i lumit është i rëndësishëm për llojet migratore (p.sh. llojet e ngjalave të rrezikuara) dhe zonat ku shfaqen përqendrime të mëdha të organizmave për shumim dhe/ose mbarështim.”.
Më vjen shumë mirë që Vjosa është nën kujdesin e IUCN-së (Unioni Ndërkombëtar i Mbrojtjes së Natyrës”, e cila është themeluar në vitin 1948-të dhe është shumë e njohur në të gjithë botën, ku përbëhet nga 1400 organizata dhe 15000 ekspertë, të cilët depozitojnë studime serioze dhe nga më të besueshmet.
E bashkangjita gjithë këtë informacion, jo vetëm për të tërhequr vëmendjen e atyre që ndoshta nuk kanë interes për të mbrojtur Vjosën dhe tërësinë e rëndësisë jetike që varet prej saj, por edhe për ata zyrtarë, pushtetarë dhe administrata, të cilët duhet të jenë më të angazhuar për bërë të pamundurën, për mbrojtjen e këtij lumi.
Për të shmangur çdo kërcënim që kam lartpërmendur përgjatë gjithë shkrimit, patjetër, që duhet të përgatiten projekte nga çdo bashki si ajo e Përmetit, Këlcyrës, Tepelenës, Memaliajt, …et, që i përshkon lumi Vjosë, për ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza. Nëse këto bashki do të krijojnë një forum për të shqyrtuar kërcënimet në fjalë, duke dalë me projekte të përbashkëta, për t’ia drejtuar dhe bërë të ditur qeverisë qendrore dhe BE-ë, për të akodruar fonde të veçanta, si për studimin dhe materializimin e projekteve për çdo bashki, do të jetë një fitore e madhe!
Padyshim që BE, ka buxhet, por edhe teknologji nga më të avancuarat dhe bashkëkohoret, për të pastruar ujërat e zeza, deri në 97% dhe të përfitojë gjithashtu sasi të biogazit, që do të shfrytëzohet për të prodhuar 30% të energjisë elektrike, që do të përdoret për nevojat e çdo impianti.