Bota Gallant: Trupat izraelite do të futen në Gazë së shpejti

Gallant: Trupat izraelite do të futen në Gazë së shpejti

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, u tha të enjten trupave të mbledhura në kufirin me Gazën se ata së shpejti do ta shihnin “nga brenda” enklavën palestineze, duke sugjeruar se një pushtim i pritshëm tokësor me qëllim eleminimin e Hamasit mund të ndodh së shpejti.

Izraeli ndërmori sulme ajrore ndaj Gazës të enjten, ndërsa vazhdon aksionin për asgjësimin e Hamasit pas sulmit mizor të militantëve të armatosur që vranë 1400 izraelitë.

Kryeministri britanik Rishi Sunak ndoqi shembullin e Presidentit Joe Biden me një vizitë në Izrael për të demonstruar mbështetjen perëndimore për luftën kundër militantëve të Hamasit.

Zoti Sunak u takua gjithashtu me princin saudit të kurorës, Mohammed bin Salman, i cili e quajti “të neveritshme” vrasjen e civilëve në Gaza.

Izraeli e ka rrethuar Rripin e Gazës me një popullsi prej 2.3 milionë banorësh. Sulmet ajrore izraelite ndaj enklavës raportohet se kanë shkaktuar mijëra të vdekur dhe kanë lënë më shumë se një milionë banorë të pastrehë.

Në veri të Gazës, pamjet e marra nga agjencia e lajmeve Reuters nga kampi i refugjatëve Jabaliya, tregojnë banorët duke gërmuar me duar brenda një ndërtese të dëmtuar për të nxjerrë një djalë dhe një vajzë të vogël të bllokuar nën rrënoja.

“Tani e shihni Gazën nga larg, së shpejti do ta shihni nga brenda. Urdhëri do të vijë”, u tha zoti Gallant ushtarëve. Nuk pritet futja e trupave gjatë vizitave të udhëheqësve të huaj.

Menjëherë pas deklaratës së zotit Gallant, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu publikoi një video të tij me trupat pranë kufirit duke premtuar fitore.

“Të gjithë treguesit janë se më e keqja po vjen”, u tha gazetarëve në Aman Ministri i Jashtëm i Jordanisë Ayman Safadi.