Me 20 qershor të vitit 1930, Shqipëria do të nënshkruante me Japoninë traktatin e miqësisë dhe tregtisë. Marrëveshja do të nënshkruhej në Athinë e do të merrte fuqi ligjore në qershor të 1931. Kjo marrëveshje vinte në një kohë kur Japonia po njihte një zhvillim të madh industrial e kur Shqipëria po ndjente vështirësi të konsiderueshme ekonomike si rrjedhojë edhe e krizës globale.
Si rrjedhojë e politikave zhvillimore të ndjekura Japonia po zinte pozitë dominuese gjithnjë e në më shumë tregje të huaja. Ajo kishte arritur të fitonte treg në vendet aziatike, europiane e amerikane si rrjedhojë e faktit se mallrat e saj ishin të pakonkurrueshme nga çmimi.
E gjendur përballë sfidave si rritja e shpejtë e popullatës, thellimi i papunësisë e i varfërisë, Japonia në një periudhë të shkurtër aplikoi si zgjidhje rritjen e prodhimit industrial, përmes disa politikave jo të zakonshme. Pagat ishin të ulëta ndërsa dita e punës shkonte deri në 11 orë në ditë.
Mallrat e Japonisë do të arrinin të depërtonin edhe në Shqipëri, duke krijuar jo pak probleme për ekonominë vendase e për industrinë e asaj periudhe. Mallrat që vinin nga Japonia kishin çmime shumë të lira, çka i bënte të preferueshme nga konsumatorët, por ky çmim i ulët i tyre do të konkurronte me lehtësi prodhimet e zejtarëve shqiptarë të cilëve mallrat u mbetën stok.
Në botimin e shtatorit të vitit 1939 me titullin “Albania: il paese e le genti” me autor Michele Craveri, pretendohet se ka qenë pikërisht traktati i nënshkruar mes dy vendeve, ai i cili i hapi rrugë vërshimit të mallrave japoneze në Shqipëri.
“Qeveria shqiptare dhe klasa drejtuese (jo populli që meriton admirim, respekt e dashamirësi), blinte jashtë atë që mund të blinte me çmim më të lirë ose të njëjtë me atë në Itali. Tregon për shembull Montanelli, që disa tregtarë stofërash furnizoheshin zakonisht në Itali, në Prato, deri në ditën kur si rrjedhojë e nënshkrimit të traktatit tregtar, “Japonia pushtoi tregun shqiptar” me materiale me çmime të ulëta e që ishin ulur dhe më tej si rrjedhojë e lehtësimit të tarifave doganore, në kuadër të këtij traktati. Tregtarët që i kishin furnizuar mirë magazinat me mallra italiane, iu desh t’i boshatisin ato në mënyrë që të merrnin në vijim prodhime japoneze për të mos falimentuar si rrjedhojë e konkurrencës” shkruhet në këtë botim.
Më tej, autori krahason të dhënat zyrtare ku evidenton se brenda një periudhe 3 vjeçare nga nënshkrimi i traktatit mes dy vendeve, Japonia do të rezultonte në Shqipëri në vendin e dytë të listës së vendeve importuese, menjëherë pas Italisë. Ndërkohë, në listën e vendeve në të cilat Shqipëria eksportonte, Japonia nuk do të kishte ndonjë peshë të konsiderueshme.
Një debat për dumping në Shqipërinë e 1934
Vërshimi i mallrave japoneze në tregjet të ndryshme të Azisë, Europës e Amerikës do të sillte pikëpyetje e diskutime globale nëse bëhej fjalë për dumping. (Dumpingu nënkupton shitje të prodhimeve jashtë vendit me çmime më të ulëta se sa në tregun vendor të prodhuesit. Synimi është zotërimi i tregut dhe eleminimi i konkurrencës, një strategji që konvertohet më pas në fitime të mëdha në afatgjatë).
Pavarësisht stadit të zhvillimit të dijes për ekonominë, në Shqipërinë e atyre viteve nuk kanë munguar diskutimet publike lidhur me faktin nëse në këtë rast kishim të bënim apo jo me *dumping.
Sidomos në vitin 1934, kohë ku Shqipëria ishte në kulmin e krizës ekonomike, revista si Rilindja apo Hylli i Dritës do të përkthenin artikuj të ndryshëm në të cilin shpjegohej debati ndërkombëtar për ndikimin që mallrat e Japonisë kishin në tregje dhe nëse në këtë rast kishin të bënim me dumping apo jo./SCAN