Antimafia italiane e Barit ka zbardhur detajet investigative të kapjes së dy trafikantëve të mëdhenj të drogës, një shqiptar e një shtetas italian, operacion i kryer në bashkëpunim me Policinë britanike e atë gjermane.
Dy trafikantët nën akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës ishin shpallur në kërkim europian në kuadër të operacionit “Kulmi”, i cili në muajin qershor 2020 çoi në ekzekutimin e 37 masave ndalimi.
Për kapjen e të kërkuarit shqiptar me inicialet H.E 37 vjeç, i arrestuar në aeroportin londinez Heathrow nga Policia e Scotland, agjentët e antimafias italiane u shtirën si një vajzë shqiptare e cila u vu në kontakt me profilin e fshehur në Instagram të shqiptarit H.E.
Pas disa kontakteve në Instagram, shqiptari pranoi të takohej me “vajzën” shqiptare ku si surprizë e priste një skuadër policore e cila e vuri nën pranga.
Brenda pak ditësh shqiptari pritet të ekstradohet në Itali e ku do të vendoset para akuzave të drejtësisë italiane.
Më pas u arrestua në Gjermani dhe shtetasi italian me inicialet C.S 43 vjeç, i cili është ekstraduar në Itali e ndodhet në arrest shtëpiak në dispozicion të autoriteteve të drejtësisë italiane.