Historia e Klement Balilit me akuzat për trafik ndërkombëtar droge me gjykatat shqiptare, sapo ka nisur. “Eskobari i Ballkanit” është njohur sot me masën e sigurisë, ku është lënë në “arrest me burg” nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Por avokati i tij, Dhori Sollaku, ka mohuar çdo akuzë, duke e deklaruar klientin e tij të pafajshëm. Por a është vërtetë i tillë Klement Balili?
I pagëzuar si “Eskobari i Ballkanit”, ndaj tij nuk është ngritur ende, të paktën deri më tani, akuza e krijimit dhe drejtimit të një grupi të strukturuar kriminal, por vetëm ajo e pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal.
Balili është i kërkuar edhe në Greqi, aty ku ka ushtruar aktivitetin e tij të paligjshëm. Në vitin 2016, Gjykata e Athinës ka caktuar ndaj tij masën “arrest me burg” dhe pas kësaj është lëshuar urdhri ndërkombëtar për ta arrestuar.
Emri i tij doli në dritë pas përgjimeve të dy vëllezërve Poti, trafikantë droge në Belgjikë, të cilët furnizonin një pjesë të mirë të Europës. Pikërisht në këtë moment, futet në “lojë” DEA, agjencia amerikane kundër drogës. Kjo e fundit ka qenë e përfshirë në këtë çështje, pas kapjes së një shoferi grek në Britani, i cili transportonte 23 kg kokainë në Londër, dyshohet për llogari të ish-drejtorit të Transporteve në Sarandë.
Madje burime të Prokurorisë, shprehen se gjithçka në lidhje me Balilin është kryer në asistencën e agjencisë shtetërore amerikane, ku ka asistuar policitë ballkanike në identifikimin e këtij grupi që çonte drogë në Perëndim në një biznes që llogaritej shumë milionë euro në vit.
Por, cili ishte roli i Kelment Balilit në gjithë këtë trafik? Sipas dosjes hetimore greke, të cilës i është bashkangjitur edhe ajo e DEA-s amerikane, ish-kreu i transporteve të Sarandës ka qenë drejtuesi kryesor i grupit.
Duke shfrytëzuar pozicionin në krye të transporteve, ai ishte në dijeni të lëvizjeve të autoriteteve dhe sesi të shmangte kontrollet për të hedhur drogën në Greqi dhe prej andej me ndihmën e miqve të tij grekë dhe lidhjeve në Bruksel ta shpërndante në të gjithë Europën.
Por “loja” sapo ka nisur dhe duhet parë nëse Prokuroria shqiptare do ta lidhë episodin e Britanisë dhe atë të Belgjikës me dy vëllezërit Poti për të konfirmuar akuzat ndaj “Magjistarit”, siç u pagëzua Balili nga ish-ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu.