Gazetari Artan Hoxha i ftuar në emisionin ‘Shqip’ nga Rudina Xhunga bëri një analizë të shtjelluar për mënyrën se si funksionon krimi i organizuar në Shqipëri, si veprojnë shqiptarët në Ekuador, pse po zbulohen shifra marramendëse që janë dhënë për të bërë atentate nga grupe kriminale, etj.
Gazetari tha se shqiptarët në Ekuador kanë marrë ekskluzivitetin e Ndragetës sepse bëjnë operacione të mëdha që nuk i marrin përsipër të bëjnë grupe të tjera kriminale.
“Unë isha shqiptari i parë që hyra në Ekuador me pasaportë. Qëlloi në një moment të keq se në atë kohë Ekuadori bllokoi lëvizjen e lirë për shqiptarët. Nuk ishte lajmëruar ky fakt. E bllokuan se ata mendonin që shqiptarët janë bërë problematikë. Por në fakt njëri nga shqiptarët më të famshëm që kishte hyrë atje, Gramoz Rexhepi ishte me pasaportë greke. U deshën muaj që të gjenin që kërkohej nga Interpoli, që ishte arratisur nga 6 burgje. Atje kishte dhe shqiptarë që shkonin të provonin shansin. Shqiptarët kanë një element, nuk e vlerësojnë jetën. Ata marrin një risk shumë të madh dhe prandaj kanë sukses sepse nuk e vlerësojnë jetën. Të tjerët tolerojnë para jetës.
Kur takova konsullin malazez në 2022-shin në Ekuador më nxori një listë të të gjitha sasive të drogës që ishin kapur në atë vit. Në të gjitha rastet ku kishin të bënin me shtetas serbë dhe malazeze sasitë nuk e kalonin 200 kg.
Në rastet kur ishin shqiptarët sasia më e vogël ishte 1.8 tonë. Prandaj ishin vërë të zëshëm shqiptarët që ishin pakicë në Ekuador në krahasim me serbët e malazezët që janë në shumicë.
Pse ndodhte kjo?
Nëse ti shkon me një kamion sot në Çermë të Lushnjës dhe thua dua 40 tonë domate do e marrë vesh gjithë Myzeqeja, por nëse kalon në rrugë dhe blen 2 kg nuk e merr vesh njeri. Këtë gjë bënin shqiptarët në Ekuador. Shkonin parkonin trilerin në një vend dhe thoshin na duhet 5 tonë. Ngaqë kemi hyrë vonë në atë lloj industrie, duam të shkojmë direkt në majë. Këto sasi të mëdha që shqiptarët lëvizin nga atje janë operacione që më parë i ka bërë Ndragheta. Pra shqiptarët kanë marrë ekskluzivitetin e Ndranghetës. Këtë gjë e tha sot edhe kreu i SPAK-ut. Pra shqiptarët janë të instaluar mirë në Peru, në Brazil, Kolumbi. Pra ne jemi gjithandej në Amerikën Latine. Kemi rastet tona, dëshmorët tanë, kemi tonelatat të kapura atje, që dëshmojnë për fuqinë monetare”, u shpreh Hoxha.
Gazetari tregon se si po qarkullon paraja e vënë nga kokaina nga bosat e krimit në Shqipëri. Ai thotë se vetëm vitin e kaluar në pikat e këmbimit u shkëmbyen 12 miliardë euro, që as buxheti i shtetit nuk i ka kaq shumë.
“Kartelet kolumbiane janë jashtëzakonisht të mëdha, lëvizin miliarda. Por që ai të të besojë 2-3 tonë do prova, do siguri që këto tonelata do shiten vërtet dhe ata do marrin paratë. Shqiptarët kanë dhënë prova që e bëjnë këtë gjë, nuk janë rastësisht aty. Kjo tregon pse të ardhurat e tyre janë kaq shumë të mëdha sa krijojnë perandorinë.
Kokaina ka një veçanti nga narkotiket e tjera, brenda një kohe të shkurtër sjell sasi të mëdha fitimi dhe problemi që kanë të gjithë me kokainën është se nuk dinë ku do t’i çojnë ato para, ku do t’i pastrojnë, investojnë.
Eskobari u bë problem se shkoi 30 miliardë dollarë dhe po i groposte në tokë se nuk kishte banka më ku t’i çonte. Edhe sot pas 30 ca vitesh gjenden nëpër Kolumbi nga 5-10 milionë euro të groposura.
Shqipëria ka të njëjtin problem sot. Gjatët vitit të kaluar në Shqipëri vetëm në pikat e këmbimit valutor janë shkëmbyer 12 miliardë euro. As buxheti i shtetit nuk është kaq. Pse neve na duken të pabesueshme këto shifrat për atentate që janë 100 mijë, 500 mijë, 1 milion euro. 5 milionë euro jepte shpërblim SHBA-ja për Bin Laden apo për Pablo Eskobarin.
Kush ua dha këtë fuqi në Shqipëri? Ne krimit të organizuar në Shqipëri nuk po ia shohim paranë ende. Por i shohim vetëm kufomat. Përqendrohemi te një grup që ka kufoma. Po pse paguhen kaq shumë, 1 milion euro për të vrarë Durim Bamin? Çfarë ndodh në këtë vend? 3-5 milionë shpërblim ka qenë për Vis Martinajn. Si është e mundur? Nga burojnë këto sasi të mëdha parash? Ato vijnë nga ky lloj kriminalitetit, sepse kokaina sjell shumë para. Kur ishte edhe nisma e qeverisë për të bërë amnistinë fiskale thashë që Shqipëria duhet ta bëjë një vit zero. Sepse duhen futur këto para. Në duhet të vendosim nëse këto para do t’i marrin vrasësit me pagesë apo do t’i fusësh në sistem kundrejt një takse. Deri në 1997-ën patëm lulëzuar piramidat. Pse? Sepse nuk kishim bankat. Pra Shqipëria duhet ta ketë një vit zero. Duhen zgjedhur kriteret që mos përfitojnë të gjithë këta. Por duhet të kemi një vit zero sepse ne nuk e ndalojmë dot. I thonë 12 miliardë euro të këmbyera në pikat e këmbimit valutor. Ai 3 milionëshi që është gjetur në një fuçi plastike është thjesht kusuri që mbajnë për gjëra të shpejta. Sot grupet e reja shqiptarë që nuk i njohim fare, që është gjenerata që po rritet paguan me bitcoin. Ka kohë që paguan me bitcoin. Ndërkohë ne duam t’i luftojmë këta me policë që i paguajmë me 500 mijë lekë, të veshur keq”, tha gazetari në DritareTV.