Nga Jenny Hill, BBC
Angela Merkel dukej e lodhur dhe e tensionuar, kur mbërriti në selinë e partisë së saj në mbrëmje, pas përfundimit të zgjedhjeve.
Teksa dilte nga makina, ajo sajoi një buzëqeshje fillimisht për kamerat, më pas për besnikët e partisë, që ishin mbledhur jashtë selisë së CDU.
Kancelarja e dinte se do i fitonte këto zgjedhje.
Por nuk ishte kjo fitorja për të cilën kishte shpresuar.
Ky është rezultati më i keq i konservatorëve nën drejtimin e saj.
Një verdikt, ndoshta, lidhur me vendimin e saj për të hapur dyert e Gjermanisë për 1 milion refugjatë.
Duke iu adresuar partisë, Merkel pranoi se katër vitet e shkuara kanë qenë të vështira.
Megjithatë partia e arriti qëllimin e saj- të dilte e para.
Por brohoritjet nuk ishin shumë entuziaste.
Kjo për shkak se historia e suksesit në këto zgjedhje i përket AfD-së.
Në anën tjetër të qytetit, në një dhomë të mbushur me tollumbace blu dhe të bardha, anëtarët e partisë anti-emigracion, anti-Euro, po brohorisnin pasi u bë e qartë se jo vetëm do hynin në parlament, por do jenë partia e tretë në Bundestag.
Alexander Gauland është një prej liderëve të AfD- tashmë deputet.
Ai i tha turmës se partia e tij do vazhdojë gjuetinë pas zonjës Merkel.
“Ne do rimarrim vendin dhe popullin tonë,” tha ai, një retorikë e jashtëzakonshme për Gjermaninë e post-Luftës së Dytë Botërore.
Fushata e hapur ksenofobike e AfD-së, si dhe incidentet në disa tubime të zonjës Merkel, janë thuajse pa precedent.
Jashtë selisë, policia po mbante nën kontroll protestuesit anti-AfD, që po demonstronin kundër asaj që për shumë njerëz është një zhvillim shokues politik.
Ishte një ditë kaotike për politikën gjermane.
Dhe për Berlinin, që organizoi maratonën e përvitshme, teksa votuesit shkonin te kutitë.
Ka një ndarje dhe pakënaqësi në zemër të këtij vendi.
Mes turmës që po ndiqte maratonën, një burrë më tha se është i terrorizuar nga rritja e nacionalistëve të krahut të djathtë.
“Ata janë si nazistët nën Hitlerin. Kam lindur në vitin 1939. Isha fëmijë i luftës. Jam rritur në rrënoja dhe tani e kemi sërish këta. Ata janë kriminelë. Gjithmonë kam votuar CDU-në dhe dua kancelaren Merkel”.
Zonja Merkel duhet të gjejë tani partnerë për koalicionin.
Mos prisni që të ketë ftesë për AfD.
Ajo duhet të bindë vendin- ndoshta edhe disa brenda partisë së saj- se është njeriu i duhur për atë punë.
Ka qenë një fushatë e gjatë dhe e lodhshme.
Merkel mund të ketë fituar zgjedhjet, por nuk ndjehej si një fitore.
Zgjedhjet do futen në librat e historisë për dy arsye. Angela Merkel mund të ketë fituar një mandat të katërt, por është rezultati më i keq i saj.
Dhe nacionalistët e djathtë tashmë janë pjesë e establishmentit gjerman.
Ajo që është normë politike në shumë vende europiane, konsiderohej e paimagjinueshme në Gjermaninë e pas-luftës.
Jo më!