Aktualitet Si të përballesh me dezinformimin dhe mitet e rreme: Këshillat e ekspertëve...

Si të përballesh me dezinformimin dhe mitet e rreme: Këshillat e ekspertëve të medias

Web

Dezinformimi nuk është një fenomen që i përket ditëve të sotme. Megjithatë, panoramika aktuale shoqërohet me ndikimin e pakontestueshëm të mediave sociale. Dezinformimi përhapet shumë më shpejt tani, me burime të ndryshme dhe duke kaluar mbi një valë emocionesh në rrjet. Padyshim, është një fenomen kompleks, me mjaft ndikim në botën reale, që zë mjaft terren në konflikte apo kriza ndërkombëtare.

Pushtimi rus i Ukrainës e dëshmon më së miri këtë. Deklaratat e rreme, fotot dhe videot e manipuluara, të gjitha këto janë pjesë e luftës së informacionit, që duket se po shoqëron agresionin rus brenda territoreve ukrainase prej shkurtit të vitit të kaluar. Një video false e Presidentit Vladimir Zelenski u publikua në mars 2022. Asokohe, Presidenti, i shfaqur pas një podiumi, i bënte thirrje ukrainasve të ulnin armët. Ishin të shumtë ata që e besuan dhe e morën për të vërtetë këtë thirrje. Gjithsesi, reagimi i Zelenskit në llogarinë e tij zyrtare në Instagram ishte i shpejtë dhe qartësoi gjithçka: videoja në fjalë ishte pjesë e përpjekjeve të shtetit rus për të dezinformuar popullin ukrainas dhe për ta larguar atë nga e vërteta. Edhe në këto çaste, Rusia vazhdon me shpërndarjen masive të gënjeshtrave, sepse qëllimi i saj është i qartë: pushtimi i paprovokuar i Ukrainës duhet justifikuar me çdo kusht, si dhe duhet minuar mbështetja për Ukrainën.

Siç mund të kuptohet, dezinformimi mund të përdoret si mjet i fuqishëm nga aktorë politikë. Targetet e tyre mund të jenë vendas e të huaj dhe vendet në të cilat shtrihet dezinformimi, mund të variojnë.

Shqipëria është një prej këtyre vendeve ku dezinformimi përhapet lehtësisht.

Në kuadër të fushatës “Gjurmo të Vërtetën” – të ndërmarrë nga Delegacioni i BE-së në Tiranë – qytetarët shqiptarë ftohen të reflektojnë mbi logjikën dhe ndikimin e dezinformimit.

“Gjurmo të vërtetën” është një platformë komunikimi, ku ofrohen këshilla dhe njohuri praktike, se si dallohet informacioni i vërtetë dhe objektiv nga ai dezinformues, ndërsa ndalet në tematika aktuale, edhe falë ndihmës së profesionistëve të mediave dhe ekspertëve në fusha të tjera.

Që gjithkush të kuptojë në të vërtetë efektet e dezinformimit, Drejtoresha Ekzekutive e Faktoje, Klodiana Kapo sqaron përkufizimin dhe veçoritë që e dallojnë atë nga keqinformimi.

“Keqinformimi është kur unë si qytetar jam hasur me një lajm, e kam lexuar dhe kam vendosur ta shpërndaj, pa marrë parasysh faktin në kam përtypur informacion të vërtetë ose jo. Nga ana tjetër, dezinformimi lidhet me pushtetin, biznesin, me grupe të caktuara individësh, të cilët duan të shpërndajnë qëllimisht një informacion të nxitur ndoshta nga një e vërtetë, me shumë të pavërteta brenda” , – shpjegon Klodiana Kapo.

Blendi Salaj, producent ekzekutiv e prezantues në Top Media ndan sakaq një prej hapave që ndjek çdoherë në raport me vërtetësinë e një artikulli.

“Unë kam zgjedhur të konsumoj vetëm media të cilat kanë një histori dhe gazetarë të mirëfilltë profesionistë, që e përdorin emrin dhe fytyrën e tyre kur shkruajnë e publikojnë një lajm. Kjo është diçka që e dallon një media serioze nga një media jo serioze”, – shprehet Salaj, duke shtuar:

“Njihini gazetarët të cilët ju informojnë. Bëhuni këmbëngulës për identitetin e atyre që fshihen pas lajmit që po lexoni. Mos konsumoni artikuj nga faqe anonime. Mos e ushqeni trurin dhe shpirtin tuaj me lajme nga të panjohur.”

Në efektet negative që shoqërojnë përthithjen e informacionit të pavërtetë, ndalet psikologia Lenida Halilaj.

“Janë të panumërta, por do të veçoja panikun dhe ankthin si çrregullime që godasin rëndë gjendjen psikologjike dhe fiziologjike. Keqinformimi, dezinformimi dhe lajmet e rrema hasen pikërisht në momente dramatike, kur njerëzit kanë frikë për jetën, kur iu humbet më lehtë qetësia dhe i shoqëron vazhdimisht pasiguria për të ardhmen”, – thotë Lenida Halilaj. Ajo i mëshon rëndësisë që ka zhvillimi i mendimit kritik mes vërshimit të informacionit, sa i takon shëndetit dhe mirëqenies së individit.

“Gjurmo të Vërtetën” ofron një manual të kopsitur këshillash, se si t’i qaseni informacionit të kompromentuar kur përballeni me të.

Një manual që përmban 6 pika, si më poshtë:

1-Hulumto mbi origjinën

2-Lexo përtej titullit

3-Kërko për dy ose më shumë burime

4-Gjithçka ka të bëjë me faktet

5-Mos i merr të mirëqena fotot dhe videot, pa i verifikuar

6-Zhvillo mendimin kritik

Nëse jeni në kërkim të një mënyre se si të mbroheni nga gënjeshtrat dhe mitet e rreme, ne ju ftojmë të thelloni njohuritë duke klikuar mbi https://gjurmoteverteten.al/.

*

“Gjurmo të vërtetën” është pjesë e përpjekjeve të mëdha të Delegacionit të BE-së në Tiranë për të luftuar dezinformimin, si dhe për të mbështetur edukimin mediatik në Shqipëri.