Ekspertët thonë se në rastet e tërmeteve me magnitudë mbi 5 ballë, mundësia e pasgoditjeve është 99%. Lëkundjet janë me intensitet më të ulët, por rrezikshmëria mbetet.
Shumë prej nesh në moment paniku nuk dimë se si të vetëmbrohemi. Por çfarë duhet të bëhet gjatë një tërmeti?
E rëndësishme është që të mos vrapohet, pasi tërmetet rrezikojnë shembjen e ndërtesave çka mund të paraqesë rrezik sidomos nëse ndodheni në një zonë me objekte të larta.
Nëse dikush ndodhet në ambiente shtëpie apo zyre, duhet të futet poshtë një mobileje të fortë, larg dritareve apo objekteve që mund të thyhen. Koka dhe qafa duhen mbuluar me krahët dhe qëndrimi duhet të jenë në gjunjë. Nuk duhet lëvizur derisa lëkundjet të kenë mbaruar.
Gjatë largimit, nuk duhen përdorur ashensorët, pasi janë të pasigurte. Po ashtu, nuk duhet të ktheheni në objektet e dëmtuara.
Tërmeti mund t’ju kapë duke qenë në makinë. Shoferët duhet të parkojnë menjëherë dhe sa më larg ndërtesave.