Nga Artan Hoxha
Interpol Abu Dabi arreston Florenc Çapjan, pas një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë.
Ditën e enjte, me 27 maj, agjentët e zyrës Interpol Abu Dabi në Emiratet e Bashkuara Arabe në bashkëpunim me policinë e qytetit të Dubait, kanë shkuar në apartamentin ku banonte Florenc Çapja, bashkë me familjen e tij, bashkëshorten dhe fëmijën e mitur.
Çapja nuk ka bërë asnjë lloj tentative për rezistence apo për t’u larguar. Madje, ai është treguar bashkëpunues dhe është shoqëruar në policinë e Dubait, për verifikime të mëtejshme.
Policia e Emirateve të Bashkuara, pasi ka kryer verifikimet e rastit. ka konfirmuar faktin se, personi i shoqëruar është pikërisht, i shpalluri në kërkim nga prokuroria shqiptare.
Prokuroria e Elbasanit e shpalli në kërkim Florenc Çapjan, pasditen e datës 16 mars.
Por, ndërsa pasdite firmosej urdhërarresti, Çapja ishte larguar qetësisht nga Shqipëria, që në orët e para të mëngjesit.
Nuk dihet, nëse Çapja ishte në dijeni te veprimeve të prokurorisë, por është fakt se vetëm disa orë para se të firmosej urdhërarresti, ai bashke me familjen e tij, u largua me linje ajrore nga Rinasi, fillimisht drejt Stambollit dhe me pas drejt Dubait, në Emiratet e Bashkuara.
Në momentin që, agjentët e Interpol Abu Dabit kanë shkuar në banesën e Çapjas, ai ka paraqitur një leje qëndrimi, me të cilën qëndronte në këtë shtet.
Zyra e Interpol Tiranes është njoftuar mesditën e së premtes, në rrugë operative, se Florenc Çapja ishte arrestuar në Dubai, por zyrtarisht nuk kishte asnjë njoftim nga Emiratet e Bashkuara.
Menjëherë, u është kërkuar informacion kolegëve të Interpol Abu Dabi, në lidhje me personin në fjale.
Konfirmimi zyrtar, se personi i arrestuar në Dubai, është Florenc Çapja, ka ardhur vetëm të shtunën pasdite…
Tashmë pritet që autoritetet shqiptare të paraqesin brenda afatit kohor prej 40 ditësh, dokumentacionin e plote për ekstradimin e Çapjas drejt Shqipërisë, ku tashmë gjendet i burgosur dhe xhaxhai i tij, Ardian Çapja.