Aktualitet Situatë e rëndë kriminale në 5 muaj: 25 persona të vrarë

Situatë e rëndë kriminale në 5 muaj: 25 persona të vrarë

Rriten edhe atentatet mafioze nga vrasës me pagesë

Shkodra, Elbasani dhe Vlora janë 3 qytetet më problematike, për sa i përket ngjarjeve kriminale, ku në 5 mujorin e parë janë regjistruar disa persona të vrarë. Ekzekutimi i 25-vjeçarit Emilano Ndou në Bardhaj të Shkodrës nga bashkëfshatari Mark Kodra, është vrasja e dytë brenda muajit në këtë qytet dhe e treta në 5 muajt e parë të vitit. Pak ditë më parë u ekzekutua Endri Mustafa, ndërsa në një atentat mafioz në 4 prill u vra dhe Bardhok Pllani. Megjithatë në këtë qytet ka dyshime dhe për vrasjen e Violeta Gurraj dhe biznesmenit italian Davide Pecorelli, por ende nuk janë vërtetuar nga hetuesit.

Pas Shkodrës renditet Vlora, me 4 vrasje mafioze, Elbasani, dhe Fieri, për të mos lënë pas dhe qytete të tjera. Ajo që bie në sy gjatë 5 mujorit të parë, është se është rritur numri i vrasjeve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar. Deri më tani janë regjistruar 25 viktima, ndërsa gjatë vitit të shkuar deri në fund të Majit u regjistruan 24 viktima.

Përveç rritjes së numrit të vrasjeve gjatë 5 mujorit, rritje në numër u shënua edhe për atentatet mafioze. Nga 4 që ishin vitin e shkuar gjatë kësaj periudhe u regjistruan 11 atentate mafioze.

Atentatet mafioze për policinë dyshohen se janë kryer nga vrasës me pagesë. Për hetuesit shumë prej atentateve mafioze po heton për shkak të larjes së hesapeve mes grupeve kriminale, që ushtrojnë aktivitet të paligjshëm jashtë vendit kryesisht në Spanjë.

Burimi: Klan News