Shqipe Palaj ishte deri para një jave një ndër shqiptaret me më shumë lek në llogaritë bankare. 5.4 milionë euro.
Por si përfundoi kjo shumë marramendëse në llogarinë e saj?
Burime të MAPO nga Prokuroria e Lezhës bëjnë me dije se 2 milionë euro ishin hedhur në llogarinë bankare të Shqipe Palajt, në vitin 2013-të. Personi që ka bërë transfertën është një Suedez dhe ende nuk dihet përse ai i kaloi një transfertë kaq të madhe parash 50-vjeçares nga Lezha. Aktualisht Prokuroria ka sekuestruar dokumentet dhe pret të marrë informacion për nordikun bujar që i “dhuroi” 2 milionë euro 50-vjeçares.
Pjesa tjetër e parave janë hedhur në llogarinë e Shqipe Palajt nga disa persona që jetonin në Zvicër. Një prej tyre është edhe kunati i 50-vjeçares, i cili pak muaj më parë është arrestuar në Zvicër.
Të gjitha transfertat janë bërë nëpërmjet llogarive bankare dhe Prokuroria dyshon se ato vijnë nga shitja e drogës në Zvicër. Familjarët e Shqipe Palajt kanë mohuar akuzat duke thënë në Prokurori se 5.4 milionë euro janë të gjitha të ligjshme.
Një ditë më parë, Gjykata e Lezhës vendosi sekuestrimin e 5.4 milionë eurove si dhe bllokimin e disa apartamenteve në Lezhë dhe Tiranë, që ishin në pronësi të Shqipe Palajt dhe babait të saj, Pjetër Voci 80-vjeç./Burimi: Gazeta Mapo